Ghebreyesus takon kryeministrin kinez, diskutohet mbi origjinën e virusit
BKT
   Bota

Ghebreyesus takon kryeministrin kinez, diskutohet mbi origjinën e virusit

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tedros Adhanom Ghebreyesus ka takuar kryeministrin kinez, Li Keqiang.

Temë e bisedimit ka qenë COVID-19 duke përfshirë hetimin e ngecur mbi origjinën e pandemisë.

Takimi erdhi pasi çështja e origjinës së koronavirusit acaroi marrëdhëniet midis Kinës dhe Perëndimit.

Ghebreyesus më parë i ka bërë presion Kinës që të jetë më e gatshme me të dhëna dhe informacione.

“Jam i kënaqur që takohem me kryeministrin Li Keqiang”, shkroi Tedros në Twitter.

Ku, kur dhe si lindi virusi mbetet një nga misteret qendrore të COVID-19, i cili ka vrarë më shumë se gjashtë milionë njerëz në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë kritikuar Kinën për vonimin e ndarjes së informacionit kur virusi u shfaq atje në fund të vitit 2019.

Në dhjetor, OBSH tha se Pekini ende nuk kishte zbuluar disa të dhëna të hershme që mund të ndihmonin në përcaktimin e origjinës dhe bëri thirrje për një fazë të dytë të një hetimi për të.

“Rrjedhja nga laboratori nuk mund të përjashtohet”

Jeremy Farrar, drejtor i “Welcome Trust”, i cili dha dorëheqjen si këshilltar i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në nëntor, tha se në fillim të javës  “shumica dërrmuese” e provave tregojnë një origjinë natyrore, megjithëse ende nuk mund të përjashtohet një rrjedhje laboratorike.

Pa bashkëpunim ndërkombëtar, zbulimi për më shumë mund të jetë i pamundur.

OBSH ngriti vitin e kaluar “Grupin Këshillimor Shkencor mbi Origjinën e Patogjenëve të Rinj” (SAGO) dhe i bëri thirrje Kinës të sigurojë të dhëna të papërpunuara për të ndihmuar çdo hetim të ri.

Kina nuk pranoi, duke përmendur rregullat e privatësisë së pacientit.

Ajo ka mohuar vazhdimisht pretendimet se virusi ishte rrjedhur nga një laborator i specializuar në qytetin e Wuhan, ku COVID-19 u identifikua për herë të parë në fund të vitit 2019.