Kuleba: Armiku duhet të ketë frikë nga ne, jo ne nga ta
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba u bëri thirrje njerëzve që të injorojnë “parashikimet apokaliptike” për një pushtim të afërt rus.
Ai theksoi se Ukraina është e fortë dhe ka mbështetje të paprecedentë ndërkombëtare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, tha një javë më parë se Ukraina nuk ishte “Titaniku që po fundoset”.
Ai akuzoi Washington-in zyrtar dhe mediat për nxitjen e panikut që rëndon mbi ekonominë.
“Sot, Ukraina ka një ushtri të fortë, mbështetje të paprecedentë ndërkombëtare dhe besim të ukrainasve në vendin e tyre”, tha Kuleba në Twitter.
Sipas tij, armiku duhet të ketë frikë dhe jo Ukraina.
“Armiku duhet të ketë frikë nga ne, jo ne nga ta”.
Një ditë më parë dy zyrtarë amerikanë thanë se Rusia mund të jetë gati për një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës deri në mes të shkurtit.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha të dielën se Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake por mund të zgjedhë ende diplomacinë.
“Kryeqytetet e ndryshme kanë skenarë të ndryshëm, por Ukraina është gati për çdo zhvillim”, tha Kuleba.
Komisioneri Ekonomik i BE-së, Paolo Gentiloni deklaroi se fokusi duhet të jetë te diplomacia.
“Ne duhet të ndihmojmë vendet e NATO-s në kufi me Rusinë dhe t’i forcojmë ato edhe nga pikëpamja ushtarake”, tha ai, përcjell Albanian Post.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke ndezur frikën e një sulmi të planifikuar.























