Sllovaki, Parlamenti miraton traktatin ushtarak me SHBA-në
BKT
   Bota

Sllovaki, Parlamenti miraton traktatin ushtarak me SHBA-në

Ligjvënësit sllovakë kaluan me vështirësi një pakt të diskutueshëm të mbrojtjes me SHBA-në të mërkurën, që lejon Uashingtonin të forcojë praninë e tij në vend duke zgjeruar dy aeroporte ushtarake.

Nga 140 ligjvënës të pranishëm, 79 e mbështetën marrëveshjen ndërsa 60 votuan kundër.

Emocionet janë rritur lidhur me traktatin që lejon SHBA-në të zgjerojë dy aeroportet Sliac dhe Kuchyna.

Ligjvënësit e krahut të djathtë zhvilluan protesta të nxehta në parlament mbrëmjen e së martës, duke lënë në hije një debat mbi këtë çështje.

Javët e fundit, janë zhvilluar protesta që kundërshtojnë traktatin në Bratislavë dhe qytete të tjera sllovake.

Ministri i Mbrojtjes Jaroslav Nad e justifikoi paktin që nënshkroi në Uashington javën e kaluar si një garanci sigurie për Sllovakinë.

Megjithatë, dy partitë opozitare socialdemokrate të Sllovakisë ishin kundër, siç ishin ekstremistët e krahut të djathtë që kanë qenë në parlament për gjashtë vjet.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shprehu gjithashtu kundërshtimin ndaj traktatit në janar, duke pretenduar se ai ishte formuluar në mënyrë të njëanshme në favor të SHBA-së duke  kufizuar sovranitetin e Sllovakisë.

Skeptikë kishte edhe brenda partive qeverisëse, duke e bërë të pasigurt kalimin e tij në parlament deri të mërkurën./atsh