Johnson: Ukraina përbën krizën më të madhe të sigurisë ndër dekada
Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të lejohet të “dëmtojë” Evropën Lindore, tha kryeministri britanik Boris Johnson ndërsa paralajmëroi se kontinenti po përballet me krizën më të madhe të sigurisë ndër dekada.
Kryeministri Johnson deklaroi sot në selinë e NATO-s në Bruksel se “Britania e Madhe do t’i ofrojë Ukrainës mbështetje të mëtejshme ushtarake nëse Rusia e pushton atë”.
Ndërkohë, sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss zhvilloi një takim me homologun e saj rus Sergei Lavrov, në Moskë por takimi i tyre përfundoi pa arritur një progres diplomatik.
Rusia ka këmbëngulur se nuk ka plane për të pushtuar Ukrainën, por aleanca e NATO-s është e alarmuar nga grumbullimi i më shumë se 100,000 trupave në kufijtë me fqinjin e saj.
Duke folur së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e aleancës në Bruksel, Johnson i bëri thirrje Rusisë që të angazhohej në bisedime kuptimplote sepse ishte “shumë më mirë të fillonte një diskutim tani sesa të arrihej në një katastrofë”. /atsh























