Oda e Infermierëve e pakënaqur me koeficientët për infermierët
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë është tejet e brengosur me mos transparencën nëpër të cilën po kalon draftimi i Ligjit për Pagat. Në një komunikatë për media, kryetari i OIK, Naser Rrustemaj ka thënë se i gjithë ky proces shumë i rëndësishëm është përcjellur me mungesë të komunikimit ndërmjet mekanizmave përgjegjës qeveritarë dhe Odës.
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka kërkuar nga Qeveria që gjatë procedimit të Ligjit të Pagave, të mirren parasysh gjitha kërkesat dhe thirrjet që iu kanë bërë përmes shkresave të veçanta në Presidencë, Kuvend, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse për draftimin e ligjit për pagat.
“Profesioni i infermierit dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë tashmë përveç kualifikimeve me shkollim të mesëm përfshinë edhe kualifikimet me bachelor, master dhe studime të doktoraturës. Andaj, kërkojmë me ngulm që këto kualifikime të merren parasysh edhe në përcaktimin e koeficientëve të pagave”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga OIK.
Gjithashtu, përmes kësaj komunikate të nënshkruar nga kryetari Rrustemaj, kërkohet që infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të trajtohen ngjashëm “apo madje me koeficient edhe më të lartë se kolegët e tyre me bachelor të fizioterapiosë, radiologjisë etj”.
Kjo, siç potencohet, duke u bazuar në nivelin e shkollimit të tyre, e jo siç ka qenë e përcaktuar në draftin fillestar të Ligjit, që është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, e ku infermierët me bachelor nuk janë trajtuar njejt si kolegët e tyre me bachelor të fizioterapiosë, radiologjisë etj.
“OIK pret që infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, t’u vlerësohet puna dhe roli i tyre nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë. Andaj, shpresojmë shumë që puna të vlerësohet mbi bazën e kërkesave të drejtuara nga OIK tek organet përkatëse.
Në të kundërtën, nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që profilet e ngjashme me edukim të ngjashëm të kenë koeficient të ndryshëm”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryetari Naser Rrustemaj, e ku gjithashtu ofrohet bashkëpunim me institucionet relevante për të zgjidhur problematikën e koeficientëve për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë.























