​IKSHPK: Vaksinohuni, Omicron po vazhdon me shtim të rasteve fatale
BKT
Shëndetësi

​IKSHPK: Vaksinohuni, Omicron po vazhdon me shtim të rasteve fatale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se virusi Omicron (B.1.1.529) po vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim, duke rënduar akoma situatën epidemiologjike me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.

“Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, andaj IKSHPK apelon te të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ju lutemi bartni maskat nē çdo vend dhe vaksinohuni! Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Ky institut ka bërë të ditur se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhimbje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet tutje në komunikatën e IKSHPK-së.

Po ashtu ky institut ka ftuar qytetarët për t’u vaksinuar, në mënyrë që ta fitojnë imunitetin ndaj virusit. “Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare. Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare”, nënvizon IKSHPK.


MË SHUME NGA Shëndetësi