Lavrov krahason Donetsk dhe Luhansk me Kosovën
BKT
   Bota

Lavrov krahason Donetsk dhe Luhansk me Kosovën

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka tentuar te tërheqë paralele duke e krahasuar Kosovën me Donetsk dhe Luhansk, rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore.

Gjithashtu, shefi i diplomacisë ruse krahasoi gjenocidin që Moska pretendon se po ushtrohet ndaj popullsisë ruse në Luhansk dhe Donetsk, me atë që e quajti “gjenocid të kosovarëve ndaj popullit sllav” në vitet ’90.

Kryediplomati rus më 18 shkurt deklaroi se “po rekrutohen mercenarë në Kosovë e Shqipëri për të luftuar në Ukrainë“.

Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar duke thënë se qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në luftëra jashtë vendit të tyre.

“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhej në reagimin e MPJD-së.

“Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”.

MPJD ka njoftuar se shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës për Ukrainën, ndërsa ka bërë thirrje për ulje të konfliktit.