Interfax: Kolona autoblindash shihen në Donetsk
Një numër i madh automjetesh të blinduara u panë në territorin e Republikës Popullore të Donetskut, raporton Interfax.
Dëshmitarët okularë raportuan për median ruse, se dy kolona automjetesh të blinduara janë në territorin e DPR-së në veri dhe perëndim të saj.
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për njohjen e pavarësisë së Republikave Popullore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut.
Putin udhëzoi Forcat e Armatosura të Federatës Ruse gjatë orëve të mbrëmjes që të kryejnë funksione paqeruajtëse në DPR dhe LPR.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se çdo veprim i tillë do të përbënte një “shkelje të njëanshme” të marrëveshjeve të Minskut të krijuara për t’i dhënë fund një konflikti separatist në Ukrainën lindore.
Scholz gjithashtu i kërkoi Putinit që të tërheqë trupat ruse nga kufiri i Ukrainës.
Ai do të konsultohet me udhëheqësit ukrainas dhe francezë për situatën. Franca dhe Gjermania janë ndërmjetësues në konfliktin midis Kievit dhe rebelëve pro-rusë në Ukrainën lindore, shkruan Interfax.
Perëndimi e ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Rusinë që të mos njohë rajonet separatiste të Donetsk dhe Luhansk – një veprim që në mënyrë efektive varros një proces të brishtë paqeje në rajon.























