Kancelari gjerman pezullon procesin e certifikimit të Rrjedhës Veriore 2
BKT
   Bota

Kancelari gjerman pezullon procesin e certifikimit të Rrjedhës Veriore 2

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.

Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.

Scholz u ka thënë gazetarëve më 22 shkurt se ia ka kërkuar të pezullohet procesi i rishikimit të projektit nga një rregullator gjerman.

Projekti kap vlerën e 11 miliardë dollarëve.

“Kjo tingëllon teknike, mirëpo është hap i nevojshëm administrativ, ashtu që të mos ketë certifikim të gazsjellësit, dhe pa certifikim Rrjedha Veriore 2 nuk mund të funksionalizohet”, ka thënë ai.

Ende nuk është bërë e qartë sa do të pezullohet ky proces.

Perëndimi përgatit sanksione të reja kundër Moskës

Puna për ndërtim të gazsjellësit ka përfunduar, mirëpo ende nuk ka nisur punën, meqë është në pritje të certifikimit.

Ky projekt është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat kanë thënë se përmes tij mund të rritet varësia e Evropës në furnizimet ruse të energjisë, transmeton REL.

Uashingtoni po ashtu ka thënë se ky projekt do t’i shkaktojë dëme ekonomike Ukrainës, duke ia mundësuar Moskës që të bart gazin përreth Ukrainës dhe në këtë mënyrë ky shtet humb miliarda dollarë në tarifa të transitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nëse Rusia pushton Ukrainën, “atëherë nuk do të ketë Rrjedhë Veriore 2. Ju premtoj, do t’i japim fund”.

Në disa komente të bëra më 22 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar që të anulohet ky projekt, pasi Rusia ka njohur dy rajone separatiste të Ukrainës të tij si shtete të pavarura dhe ka dërguar trupa ruse atje.

Zelenskyi ka thënë se Rusia duhet të ndëshkohet për këto veprime me “sanksione të menjëhershme” që përfshijnë edhe “ndaljen totale të Rrjedhës Veriore 2”.