Blinken anulon takimin me Lavrov
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka anuluar takimin me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në Gjenevë.
Takimi ishte planifikuar të mbahej gjatë javës.
“Tani që ne shohim se pushtimi po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet me atë takim në këtë moment. Unë u konsultova me aleatët dhe partnerët tanë - të gjithë pajtohen”, tha Blinken.
Blinken tha se i dërgoi një letër Lavrovit të martën për ta informuar atë për anulimin e takimit, raporton CNN.
Njoftimi i Blinken vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin njohu dy rajone separatiste në Ukrainë si të pavarura dhe njoftoi se do të vendoste forca "paqeruajtëse" atje.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë thanë të martën se lëvizjet e Putinit shënuan fillimin e një pushtimi të ri rus të Ukrainës dhe Biden njoftoi për sanksione të reja si kundërpërgjigje.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian gjithashtu njoftoi se takimi i tij me Lavrov, i cili ishte planifikuar për të premten nuk do të mbahet.
Blinken foli në Departamentin e Shtetit së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili gjithashtu u takua me Biden dhe Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin në Uashington të martën.























