BRUKSEL-BE: Ndalojmë aksesin e bankave ruse në tregjet tona financiare
BKT
   Bota

BRUKSEL-BE: Ndalojmë aksesin e bankave ruse në tregjet tona financiare

Sanksionet e reja të propozuara të BE-së do të bllokojnë bankat ruse nga aksesi në tregjet financiare evropiane, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Ne nuk do të lejojmë që presidenti Putin të zëvendësojë shtetin e së drejtës me shtetin e forcës dhe pamëshirshmërisë”, theksoi von der Leyen, duke premtuar solidaritet të BE-së me Ukrainën.

BE-ja u përgjigj pasi presidenti rus Vladimir urdhëroi vendosjen e ushtrisë ruse në rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk në një fjalim televiziv.

Lëvizja e Putinit erdhi si përgjigje ndaj një kërkese me shkrim nga udhëheqësit e dy rajoneve të shkëputura për ndihmë në luftimin e sulmeve të supozuara nga ushtria ukrainase.

Paketa e sanksioneve duhet të koordinohet jo vetëm me SHBA-në, Britaninë dhe Kanadanë, por edhe Australinë dhe Japoninë, u tha von der Leyen gazetarëve.

Masat sanksionuese përfshijnë ngrirjen e aseteve ruse në BE dhe ndalimin e sektorëve kryesorë ekonomikë rusë për të hyrë në teknologjitë dhe tregjet kryesore. BE është partneri më i madh tregtar i Rusisë, sipas Komisionit.

“Udhëheqja ruse do të përballet me izolim të paprecedentë,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell duke njoftuar paketën, duke i kërkuar Putinit të ndalojë “këtë agresion të pakuptimtë”.

“Ne duhet t’i përgjigjemi menjëherë agresionit kriminal të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në një postim në Twitter.

“Evropa dhe bota e lirë duhet ta ndalin Putinin”, shtoi ai.  /atsh