John Keats, poeti i shpirtit që ndriçon kohërat e errëta
   Libër & Ide

John Keats, poeti i shpirtit që ndriçon kohërat e errëta

Për John Keats, poeti i mrekullueshëm romantik, të bëje poezi, do të thoshte “të përtërije shpirtin”.“Një klasik, është një libër që nuk ka përfunduar kurrë së thëni atë që ka për të thënë”, – shprehej Italo Calvino.

Por gjithnjë e më shpesh, kur flasim për klasikët, i referohemi prozës. Sigurisht, ndodh që listat e librave që nuk mungojnë të përfshijnë një ose dy vëllime vargjesh, ndoshta Dante Aligeri, por ato rrallë shkojnë më tej. Kjo është po ashtu e drejtë, duke pasur parasysh që shumica e lexuesve lexojnë kryesisht romane. Poezia duket më e vështirë, më kërkuese dhe për pjesën më të madhe të historisë së saj ka qenë e bllokuar në një rrjet rregullash, përjashtimesh, figurash retorike dhe modele rimash që na komunikojnë, në shumicën e rasteve, pak ose aspak. Për më tepër, poezia epike, sikurse ajo lirike, gjithmonë u referohen traditave dhe simboleve të përbashkëta nga shoqëria: ajo që ishte e qartë për një lexues të lashtësisë ose të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk është domosdoshmërish e qartë për ne, kjo është arsyeja pse ajo poezi shfaqet shpesh e papajtueshme me botën moderne, me jetën e shekullit të 21-të.

Por a është vërtet kështu?

John Keats, djaloshi anglez, u nda nga jeta 201 vjet më parë, i cili shkroi vargje që arrijnë të na prekin edhe sot shpirtin (31 tetor 1795 – 23 shkurt 1821). Fëmijëria u shënua nga tragjedia, i vdiq i ati në 1804, duke u rrëzuar nga kali dhe nëna, e cila ia besoi fëmijët gjyshes për t’u rimartuar, vdiq nga tuberkulozi në 1810. Në pamundësi për të përballuar një shkollë prestigjioze si Eton, Keats fillimisht ndoqi shkollën e profesor Clarke-ut, duke iu afruar kështu studimit të letërsisë dhe muzikës italiane, më pas vazhdoi trajnimin mjekësor në spitalin “Guy”. Megjithatë, gati në përfundim të studimeve, ai vendosi të linte mënjanë bisturinë dhe të ndiqte profesionin e tij të vërtetë: poezinë. Megjithëse disa nga kolegët shkrimtarë e vlerësuan, karriera e Keats nuk qe aspak e lehtë, veçanërisht pas botimit të poemës së tij “Endymion”. Mori kritika të shumta. Mirëpo, shpirtin dhe trupin e poetit të ri nuk e munduan vetët kritikat, por edhe vështirësitë ekonomike, por edhe mos suksesi e penguan të martohej me të dashurën Fanny Brawne, kurse tuberkulozi e solli në Itali, me shpresën se do të mbijetonte.

Më kot, pasi ai vdiq më 23 shkurt 1821, vetëm 25-vjeç.

Po pse ky poet i lindur nën një yll fatkeq e meriton t’i bashkohet radhëve të autorëve klasikë?

Përse vazhdojmë, sot, ta lexojmë dhe rilexojmë? Keats pati një jetë dhe karrierë tepër të shkurtër. Në të vërtetë, krijimtaria e tij përqendrohet kryesisht në vitet 1819, një vit i lumturisë artistike dhe personale, të cilit i detyrohen të gjitha veprat e tij më të njohura, përfshi “Odë mbi një urnë greke”, “Odë për një bilbil” dhe “Yll i shndritshëm”. Duke zgjedhur elementë të botës greko-romake, Keats këqyr ndjenjat e shpirtit njerëzor: dëshira për të zotëruar dashurinë, bukurinë dhe lumturinë dhe në të njëjtën kohë frikën dhe vetëdijen për pashmangshmërinë e vdekjes. Ky konflikt tipik romantik mes ideales dhe reales përshkruhet nga autori në mënyrë sublime jo vetëm në vargje, por edhe në letrat private drejtuar Fanny Brawne: një koncentrim dashurie, përkushtimi, xhelozie, pafuqie përballë sëmundjes. Si rrjedhojë, pasuria emocionale e Keats ka një bazë personale, e cila përshtatet më së miri me konceptin e tij për poezinë: një art që duhet të lindë spontanisht si gjethet në pemë, ose të mos lindë fare. Në fund të fundit, çfarë na nxit më shumë se ndjenja e na bën spontan në të shkruar? Në të njëjtën kohë, poezia e Keats nuk duhet konsideruar si shpërthim i thjeshtë i pikëllimit personal. Si poet, ai ishte një krijesë jopoetike, një kameleon i aftë të dyshonte edhe tek vetja, për ta braktisur veten në mister dhe konfuzion intelektual, për të kapur një vizion të bukurisë artistike. Kjo aftësi është ajo që e bën atë një klasik. Kur ai flet për dashurinë, dhimbjen, vdekjen, shpresën, ai nuk është John Keats. Ai është një poet. Dhe si poet është një i urtë, një mjek për shpirtin e të gjithëve. Bashkëkohësit nuk ishin në gjendje të shkonin përtej naivitetit të veprave të tij të hershme, vepra që nganjëherë nuk ishin shumë organike, por me përflakje gjeniale delikate, ndërsa tanimë mund ta kuptojmë plotësisht universalitetin e vargjeve të tij.

Megjithëse, ai besonte se ishte vetëm një emri i të cilit ishte shkruar në ujë, pasi donte ta kishte të gdhendur në gurin e varrit të tij, tani mund të themi me siguri se ai shkroi diçka të bukur dhe se “diçka e bukur është gëzim i përjetshëm/ rritet me hijeshi, nuk do të kalojë kurrë në hiç”.

Fantazi

Lëreni përherë imagjinatën të bredhërijë,

Gjetiu është gjithmonë kënaqësia:

Dhe vetëm duke e prekur ëmbël shkrihet,

Si flluskat kur i godet shiu;

Pra lëreni të bredhërijë atë me krahë,

Për mendimin që shtrihet ende përpara saj

Çel derën e kafazit të mendjes

Dhe do ta shohësh,

Se do të niset fluturimthi drejt qiellit. /konica.al/


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa