Gjermania premton rritje masive të shpenzimeve ushtarake
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar rritje të mprehtë në shpenzimet e mbrojtjes së vendit.
Duke folur në një seancë urgjente të parlamentit gjerman, ai tha se 100 miliardë euro (113 miliardë dollarë) do t'i shtohen buxhetit ushtarak të Berlinit këtë vit, raporton BBC.
Kjo do të thotë se Gjermania do të shpenzojë tani më shumë se 2% të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen, një objektiv i kahershëm i NATO-s që vendi më parë nuk ka arritur ta përmbushë - pavarësisht presionit nga SHBA, dhe në veçanti ish-presidenti Donald Trump, transmeton RTKLive.com.
Ky është i fundit në një varg ndryshimesh politike të shpallura nga Gjermania në ditët e fundit, duke përfshirë vendimin e saj të djeshëm për të filluar dërgimin e armëve direkt në Ukrainë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se bota ka "hyrë në një epokë të re" pas pushtimit rus të Ukrainës dhe se "nuk mund të ketë përgjigje tjetër ndaj agresionit të Putinit".























