Video-Mjekët përkujtojnë shërbimin në luftë, kanë një kërkesë
Elmine Osmani
Gjatë luftës së fundit në Kosovë forcat serbe kanë vrarë edhe profesionistë shëndetësorë të cilët kanë shërbyer në ditët më të rënda për vendin. Në mesin e viktimave të profesionistëve shëndetësorë janë 19 mjekë, 14 infermierë, tetë studentë të mjekësisë dhe tre ndihmës të mjekëve.
Disa prej tyre i kanë shpëtuar gjenocidit serb. Dy prej tyre, Salih Krasniqi dhe Jakup Ismaili, rrëfejnë për RTK-në ngjarje sa të dhimbshme po aq dhe krenare.
“Për mua ka qenë krenari dhe nuk m’u ka dhimbtë jeta aspak të shkoj t’i ndihmoj të plagosurit” tha Krasniqi.
"Të qenët mjek i luftës, mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndjenjë e papërshkrueshme. Ndoshta asnjë pjesë të jetës nuk do ta kisha ndërruar me këtë pjesë dhe nuk do ta zëvendësoja”, tha Ismaili.
Krasniqi dhe Ismaili janë dy nga mjekët që janë kujdesur për të plagosurit e luftës së fundit në Kosovë.
Doktor Salih Krasniqi, i cili shërbeu në fshatin Gajrak të Malishevës gjatë luftës, por edhe në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së, thotë se çastin që s’do ta harrojë kurrë ashtë ai kur doktor Shpëtim Robaj u soll i vrarë në klinikë. Krasniqi, po ashtu, kujton kohën kur të plagosurit silleshin në spital dhe aty, në atë gjendje të rëndë të tyre, vazhdonte maltretimi nga paramilitarët serbë.
“Ma kanë marrë Muhamet Kiqinën prej shtratit i cili ka qenë i plagosur. Kishte nevojë të rrinte i shtrirë. E kanë dërguar në Beograd. M’i kanë marrë edhe disa të tjerë. Një prej tyre ka qenë Gjok Ndreca, të cilin, përpos që e rrihte policia, përpiqej t’ia hapte plagën me automatik.Pastaj e dërguan në Gjakovë, më tutje në Pejë e prej aty në Burgun e Dubravës në Istog. E kanë mbytur më 19 maj 1999”, ka treguar Krasniqi.
E Jakup Ismaili që shërbeu në zonën operative të Pashtrikut, në Brigadën 121, në Batalionin e Dytë, thotë se ishe sfidë e madhe kur e gjithë popullata dhe e tërë Ushtria Çlirimtare i mbanin sytë në drejtim të mjekëve, e këta të fundit nuk i kishin as kushtet elementare për trajtimin e tyre.
“Ka pasur shumë sfida në punët operative. Lindjet janë kryer në fushë të hapur, në shatorë. Sterilizimin e instrumenteve e kryenim në stufa të drurit, në kushte jashtëzakonisht të rënda. Amputimet kryheshin me sharra të hekurit, të cilat sterilizoheshin në furrë të drurit. Disa lindje të grave i kemi kryer në fushë të hapur. Mirëpo ngjarjet më të rënda kanë qenë plagosjet e ushtarëve, vdekjet e ushtarëve me lëndime të kraharorit, të kokës, të abdomenit” shtoi Ismaili.
Për Ismailin dhe për të gjithë popullin, ani pse kohë lufte, kishte edhe çaste gëzimi. Një prej tyre ishte lindja e fëmijëve. “Ka pasur lëndime, vdekje, trauma, por ka pasur raste që kemi shpëtuar shumë jetë njerëzish. Kemi ndihmuar në 200 lindje. Ata fëmijë që kanë lindur në luftë i takoj sot. Janë bërë burra, janë bërë gra, janë bërë doktorë, njerëz të shkencës, janë bërë nuse. Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar dhe i kënaqur kur i shoh ata fëmijë që sot janë në jetë", shtoi Ismaili.
Doktor Sali Krasniqi, tani pensionist, ka një kërkesë. Ai kërkon që në oborrin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të ngrehet një pllakë përkujtimore me fotografitë dhe emrat e 45 punëtorëve shëndetësorë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë./Përgatiti: K.K/























