Hong Kongu po përballet me një valë të rëndë të koronavirusit
   Bota

Hong Kongu po përballet me një valë të rëndë të koronavirusit

Hong Kongu prej disa javësh po përballet me valën më të keqe të Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Spitalet janë vënë në vështirësi të madhe, për shkak të numrit të lartë të pacientëve, të cilët një pjesë e madhe e tyre janë vendosur nëpër korridore dhe në shumë raste pa marrë kujdesin e duhur.

Numri i lartë i rasteve me variantin Omicron, nxori në pah përgatitjen e qeverisë për t’u përballur me urgjencën e krijuar, pas dy vitesh ku pandemia ishte mbajtur nën kontroll falë të ashtuquajturës politikë “zero Covid”, me bllokim dhe izolime të mënjëhershme, teste masive me synimin për të ndaluar shpërthimet e koronavirusit.

Në javën e kaluar në Hong Kong, mesatarisht 285 njerëz kanë vdekur në ditë nga Covid-19, duke shënuar një nga normat më të larta në botë. Në Itali, numri i rasteve që kanë humbur jetën ka shkuar në 140 në ditë në javën e fundit, kjo edhe si pasojë e rritjes së rasteve pozitive që nga fundi i muajit shkurt.

Mesatarisht na javën e fundit rastet pozitive të zbuluara në Hong Kong çdo ditë ishin 2.300. Që nga fillimi i valës së re, e cila nisi ngadalë në fund të dhjetorit, në Hong Kong janë zbuluar 740 mijë raste, por sipas analizave, shifra nënvlerëson shumë shtrirjen e infeksionit.

Mjekët dhe pjesa tjetër e personelit shëndetësor ia atribuojnë krizën shëndetësore mospërgatitjes së konsiderueshme të pushtetit vendor, i cili nuk kishte hartuar plane specifike për një rritje të rasteve të reja me Covid, por ishte përqendruar tek politika “zero Covid”.

Një politikë e tillë arriti të japë rezultat në këto dy vite pandemie, me shpërthime të rralla që autoritetet shëndetësore kishin arritur t’i mbanin nën kontroll, ndonëse duke vendosur rregulla të rrepta izolimi në lagje të tëra për javë apo muaj me radhë në varësi edhe të numrit të rasteve.

Për të ndaluar menjëherë infeksionet, duke filluar nga muajt e parë të vitit 2020, Hong Kongu kishte parashikuar që kushdo që infektohej me Covid, të shtrohej në një institucion shëndetësor, edhe nëse nuk kishte simptoma. Kurse personat që binin në kontakt me personin e infektuar, duhej të futeshin në karantinë, maksimumi deri në tre javë. Disa nga rregullat ndryshuan me kalimin e kohës, edhe pas futjes së sistemeve për kryerjen e testeve masive në lagje të tëra.

Megjithatë, ardhja e variantit Omicron në fund të vitit të kaluar ka ndryshuar ndjeshëm gjërat.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa