Netflix synon kufizimin e ndarjes së fjalëkalimeve dhe futjen e reklamave
Tech

Netflix synon kufizimin e ndarjes së fjalëkalimeve dhe futjen e reklamave

Një rënie e papritur e numrit të abonentëve ka bërë që platforma Netflix të konsiderojë ndryshimet në shërbimin që ofron: Reduktimin e ndarjes së fjalëkalimeve dhe krijimi i një abonimi me kosto të ulët të mbështetur nga reklamat.

Ndryshimet që pritet të ndodhin së shpejti janë krijuar për të ndihmuar kompaninë Netflix të rifitojë vrullin që ka humbur gjatë vitit të kaluar.

Platforma Netflix fitoi shumë abonentë në kohën sa shtetet kishin vendosur masa bllokimi për shkak të pandemisë së COVID-19.

Netflix ofron përmbajtje të ndryshme përfshirë: filma, seri, dokumentare, muzikë.

Baza e klientëve të Netflix ra për 200,000 abonentë gjatë tremujorit janar-mars, tkurrja e parë që është evidentuar që kur shërbimi i transmetimit u bë i disponueshëm në pjesën më të madhe të botës jashtë Kinës gjashtë vjet më parë.

Rënia erdhi pjesërisht nga vendimi i Netflix-it për t’u tërhequr nga Rusia në shenjë proteste kundër luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Kjo rezultoi në humbjen e 700,000 abonentëve.

Netflix parashikoi një humbje prej dy milionë abonentësh të tjerë në tremujorin aktual prill-qershor.

Aktualisht një abonent i Netflix mund të ndajë fjalëkalimin e tij me persona të tjera e të cilët mund të shikojnë përmbajtjen që ofron kjo platformë falas. Kjo pritet të kufizohet.

Për të nxitur më shumë njerëz që të paguajnë për llogaritë e tyre, Netflix tregoi se do të zgjerojë një program provë që ka nisur në tre vende të Amerikës Latine - Kili, Kosta Rika dhe Peru.

Në këto vende, abonentët mund të zgjerojnë shërbimin në një familje tjetër për një çmim më të ulët.

Në Kosta Rika, për shembull, çmimet e Netflix variojnë nga 9 deri në 15 dollarë në muaj, por abonentët mund të ndajnë hapur shërbimin e tyre me një familje tjetër për 3 dollarë shtesë.

Netflix nuk ofroi informacion shtesë se si do të funksiononte një nivel shërbimi më i lirë i mbështetur nga reklamat ose sa do të kushtonte.

Netflix filloi të shkonte në një drejtim të ri vitin e kaluar kur shërbimi i tij shtoi lojëra video pa pagesë shtesë, në përpjekje për t'u dhënë njerëzve një arsye tjetër për t'u abonuar.

Në tremujorin e fundit, Netflix humbi 640,000 abonentë në SHBA dhe Kanada, duke bërë që menaxhmenti të theksojë se pjesa më e madhe e rritjes së tij të ardhshme do të vijë në tregjet ndërkombëtare.

Netflix e mbylli marsin me 74.6 milionë abonentë në SHBA dhe Kanada.