Kosova mbledh fizioterapeutët e vendit, rajonit e Evropës
RTK
Shëndetësi

Kosova mbledh fizioterapeutët e vendit, rajonit e Evropës

J.M

Në Prishtinë është mbajtur Konferenca e II-të Ndërkombëtare e Fizioterapisë, ku ka mbledhur 638 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtar si dhe të rajonit, ku janë mbajtur ligjërata dhe prezantime.

Me këtë rast kryetari i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), Feim Gashi, deklaroi se ishte kohë shumë e rëndë me pandemi e cila bëri që komuniteti i fizioterapeutëve si gjithë të tjerët të jenë bashkë vetëm virtualisht dhe u shpreh se është i nderuar që edhe fizikisht u takuan të gjithë.

Ai tha se fizioterapeutët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe sistemit shëndetësor, andaj do të mundohen që të jenë gjithnjë në shërbim të atyre që kanë nevojë.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur, profesor Milazim Gjocaj, i cili tha se do ta kenë përkrahjen nga ana e tyre.

Me anë të rrjetit social Twetter ka reaguar edhe Esther-Mary D’Arcy, presidente e Fizioterapisë Botërore për rajonin e Evropës. Ajo ka falënderuar Kosovën për një organizim të tillë.

Depueteti nga Shipëria, njëherit me profesion edhe fizioterapeut, Florenc Spaho, ka përgëzuar OFTK-në për një organizim të tillë dhe është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me Kosovën.

Spaho i cili është edhe pjesë e Komisionit për shëndetësi nga Kuvendi i Shqipërisë ka paralajmëruar një takim me Komisionin për Shëndetësi të Kosovës me qëllim të lehtësimit të shumë barrierave që ekzistojnë ndërmjet dy shteteve në këtë fushë.

Bekim Haxhiu, deputet në Kuvendin e Kosovës, po ashtu me profesion fizioterapeut, tha se fizioterapia po zhvillohet secilën herë e më shumë për shërbime sa më cilësore për pacientët.

E Besim Kodra, kryetar i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, pasi ka përgëzuar OFTK-në për organizimin e një Konference me pjesëmarrje kaq të madhe, ka mbajtur një ligjëratë me temën ‘Të drejtat dhe përgjegjësit e pacientit’.