VIDEO-Për tre muaj rreth 300 raste të sulmeve në tru
Foto,RTK
Shëndetësi

VIDEO-Për tre muaj rreth 300 raste të sulmeve në tru

Besjana Mulaj/ RTK

Pasojat sulmet në tru janë të mëdha, mirëpo në vendin tonë mungojnë informatat edukuese se si të mbrohemi dhe si të trajtohen më pas këto raste.

Vetëm në Klinikën e Neurologjisë këtë fillim vit janë shënuar rreth 300 raste, por sipas neurologëve ka edhe shumë raste që pësojnë sulme të tilla e që nuk prekin ndonjë strukturë të rëndësishme të sistemit nervor dhe nuk vërehen as nga vetë pacientët.

Në tremujorin e parë të këtij viti, vetëm në Klinikën e Neurologjisë në QKUK janë regjistruar 291 raste të pacientëve të prekur nga sulmi në tru. Numri edhe më i lartë është i atyre rasteve që pësojnë sulme të tilla por që për shkak se nuk kanë prekur ndonjë strukturë të rëndësishme të sistemit nervor qendror, nuk vërehen as nga vetë pacientët.
Por me ngritjen e cilësisë në aparaturat e diagnostikës në Klinikën e Neurologjisë, tani mund të zbulohet edhe shkaku i nxitjes së sulmeve të tilla kalimtare.
“Ne e kemi filluar një projekt bashkëpunim me klinikën e Radiologjisë dhe si efekt pozitiv është një ofrim e shërbimeve radiologjike të cilësisë së lartë diagnostikuese për këtë lloj problematike në klinikën e Neurologjisë, dhe ne kemi aparat të CT ?së, rezonancës magnetike, sallë të angiografisë dhe kjo ka bërë që cilësia diagnostike të jetë shumë më e shprehur ditëve dhe viteve të fundit”, tha për RTK Nexhmedin Shala drejtor i klinikës së Neurologjisë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Pacientëve thonë se në përgjithësi mungojnë informatat edukuese se si të mbrohemi apo të kujdesim pas ballafaqimit të sulmeve në tru.
“E shumë më të rralla këto fushata janë për kujdesin e shëndetit mendor përkatësisht parandalimin dhe menaxhimin e këtyre sëmundjeve, kemi shumë qytetar që kanë pësuar sulm në tru dhe kanë mungesë të informatave se si të menaxhojnë më sëmundjet e tyre, po ashtu edhe familjarëve që përkujdesen për ta ju mungojnë informatat e nevojshme rreth menaxhimit të sëmundjes së tyre”, tha për RTK Besim Kodra, Kryetar i shoqatës së pacientëve.
Kodra thotë se fushatat edukuese janë shumë të nevojshme edhe për natyrat e tjera të sëmundjeve, sepse parandalimi e ul në masë të madhe koston e trajtimit dhe mbron shëndetin e pacientëve.