Protestë para MSH, e infermierëve që punuan e nuk u paguan gjatë pandemisë
Foto: EO
Shëndetësi

Protestë para MSH, e infermierëve që punuan e nuk u paguan gjatë pandemisë

Jeton Musliu / RTKlive

Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar gjatë pandemisë, për një orë protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata shprehën pakënaqësinë për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.

“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, shkruan në një pankartë.

 “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim ARSYEJA”, shkruan në një tjetër.

“Rrezikova vetën dhe familjen time, për të të shpëtuar ty dhe familjen tënde DHE SI U SHPËRBLEVA”, ishte mbishkrimi në një pankartë tjetër që mbahej nga protestuesit.

Nurie Ukaj, përfaqësuese e infermierëve në QKUK, deklaroi para gazetarëve, se protesta do të vazhdojë derisa të marrin një përgjigje konkrete nga Ministria e Shëndetësisë.

“Qëllimi i protestës është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Momentalisht nuk largoheni prej këtu pa marr përgjigje zyrtare”, tha ajo.

“Kemi bërë kërkesa shkresa e-maila po asnjëherë nuk kemi marr përgjigje përveç dje e kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihu krejt çka na ka thanë është që ka optimizëm”.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është ftuar  të raportojë në mbledhjen e ardhshme të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, për të sqaruar një varg çështjesh, siç janë: mospagesa e mbi 1 mijë 200 profesionistëve shëndetësorë të angazhuar nga MSh-ja për menaxhimin e pandemisë, por edhe për të treguar mbi përgatitjet e institucioneve për ballafaqimin me “linë e majmunëve”.

Aktualisht, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ndodhet jashtë vendit.

 


APR