Kosovarët kërkojnë Shqipërinë në internet, serbët kërkojnë Kosovën
Jeton Musliu / RTKlive
Andres Sundell është një ekspert i shkencave politike me fokus të veçantë vizualizimin e të dhënave në Universitetin e Gothenburgut. Duke përdorur Google Trends, ai ka përpiluar një listë të shteteve më të klikuara në Google dhe nga cili shtet bëhen ato klikime.
Të dhënat e tij përfshijnë periudhën nga viti 2004-2022. Gjetjet e tij janë te veçanta në botën e internetit sepse nxjerrin në pah, atë se popujt e vendeve të ndryshme, se cilat vende të tjera i kërkojnë.
Në rastin konkret, rezulton se shteti më i kërkuar për serbët është pikërisht Kosova, kurse vetë kosovarët më së shumti kanë kërkuar në Google për Shqipërinë.
Megjithatë, shteti më i kërkuar për shqiptarët e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe nuk është Kosova por Italia. Ndërsa për vetë italianët shteti më i kërkuar rezulton të jetë SHBA-ja.
Në anën tjetër, SHBA nuk rezulton të jetë shteti më i kërkuar vetëm për italianët por për tërë botën. Ky shtet rezulton më i kërkuari në Google, duke u renditur i pari në listë nga 190 shtete të përfshira në raport.
Kështu, amerikanët kërkuan gjatë këtyre viteve, më së shumti Meksikën, pastaj Indinë e Japoninë kurse rusët kërkuan për SHBA-në, Kinën e Ukrainën, ndërsa britanikët më shumë kërkuan për SHBA-në, Francën e Indinë.
Këto gjetje mund të përdoren si një tregues interesant i tendencave kulturore dhe sociale të secilit shtet.
Më poshtë mund të shihni një hartë e cila paraqet në mënyrë grafike emrat e shteteve më të kërkuara në Google sipas shtetit nga i cili është bërë kërkimi.
10 shtetet më të klikuar nga amerikanët:
1- Meksika
2- India
3- Japonia
4- Kina
5- Kanadaja
6 – Mbretëria e Bashkuar
7 – Francë
8 – Itali
9 – Gjermania
10 – Rusia
10 shtetet më të klikuar nga rusët:
1 – SHBA
2- Kina
3- Ukraina
4 – Gjermania
5 – Japonia
6 – Turqia
7 – Franca
8 – Italia
9 – India
10 – Spanja
10 shtetet më të klikuara nga britanikët:
1 – SHBA
2 – Franca
3 – India
4 – Australia
5 – Spanja
6 – Irlanda
7 – Italia
8 – Gjermania
9 – Kina
10 – Japonia