BE-ja pajtohet që për pajisjet elektronike të përdoret mbushës i njëjtë
Foto: REL
Tech

BE-ja pajtohet që për pajisjet elektronike të përdoret mbushës i njëjtë

REL

Shumë shpejt evropianët do të kenë vetëm një kabllo për të mbushur telefonat e tyre të mençur dhe pajisjet e tjera elektronike.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nënshkruan të martën një marrëveshje të përkohshme që kërkon që në 27 shtetet e bllokut të ketë një mbushës uniform. Kjo marrëveshje është pjesë e një përpjekjeje më të madhe të BE-së për të bërë që produktet që shiten në bllok të jenë më të qëndrueshme dhe të zvogëlojnë sasinë e mbetjeve elektronike.

Rregullat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi në vjeshtën e vitit 2024, nënkuptojnë se konsumatorët e BE-së do të duhet të përdorin vetëm një kabllo USB-C për mbushjen e pajisjeve të vogla dhe të mesme portative elektronike.

“Konsumatorët evropianë ishin të frustruar me shumë mbushës që grumbullonin në shtëpitë e tyre”, tha gjatë një konference për media në Bruksel, Alex Agius Saliba, kryenegociatori i Parlamentit Evropian.

“Tani, ata do të jenë në gjendje që të përdorin një mbushës për të gjitha pajisjet portative elektronike, që është një hap i rëndësishëm për të rritur komoditetin e konsumatorëve”.

Ky mbushës uniform do të vlejë për telefonat celularë, tabletët, pajisjet për lexim, kufjet, kamerat digjitale, kufjet për video-lojëra, pajisjet për videolojëra, tastierat, mausët, pajisjet e navigimit dhe zmadhuesit portativë të zërit.

Laptopët po ashtu do të jenë pjesë e kësaj nisme, por prodhuesve ende u duhet kohë që të pajtohen me këtë vendim.

Rregullat zbatohen vetëm për pajisjet e shitura në tregun e përbashkët evropian, që përbëhet nga 30 shtete. Megjithatë, sikurse rregulloret strikte të privatësisë që ka BE-ja, këto rregulla mund të shndërrohen në një standard de fakto për pjesën tjetër të botës.

Përderisa shumë prodhues të pajisjeve elektronike kanë nisur të bëjnë ndryshime në pajisjet e tyre për prizat për USB-C, kompania Apple është një prej kompanive që kundërshton këtë rregull.

Apple më herët ka thënë se shqetësohet se këto rregulla do të kufizojnë inovacionin dhe do të dëmtojnë konsumatorët. iPhone-t e kompanisë kanë portin e vet për mbushje, megjithëse modelet më të reja përfshijnë edhe prizën ku mund të futet edhe USB-C.

Rregullat e reja të BE-së po ashtu përshkruajnë standardet që duhet të përdoren për përdorimin e mbushësve të shpejtë dhe u japin konsumatorëve të drejtën që të zgjedhin nëse duan të blejnë pajisje të reja me ose pa mbushës, gjë që sipas BE-së mund të bëjë që konsumatorët të kursejnë 250 milionë euro në vit.

Zvogëlimi i mbetjeve elektronike po ashtu është një tjetër synim. BE-ja vlerëson se mbushësit që dalin jashtë përdorimit apo ata të papërdorur përbëjnë 11,000 tonë metrikë të mbeturinave elektronike në Evropë çdo vit.

BE-ja ka shpenzuar më shumë se një dekadë për të bindur industrinë elektronike që të pajtohet të krijojë një mbushës standard.

Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian pritet të japin miratimin zyrtar për këtë marrëveshje pas pushimit të verës.


MË SHUME NGA Tech