Protestuesit kubanë dënohen me burgim deri në 25 vjet
Foto: VOA
   Bota

Protestuesit kubanë dënohen me burgim deri në 25 vjet

REL

Kuba ka dënuar 381 njerëz për pjesëmarrje në protestat e rralla kundër Qeverisë, verën e vitit të kaluar.

Disa prej tyre janë dënuar me deri në 25 vjet burgim.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka thënë se 297 persona janë dënuar me burgim për krime si: kryengritje, trazira publike, sulme dhe grabitje.

Në mesin e të dënuarve janë 16 të rinj të moshave nga 16 deri në 18 vjeç.

Një numri të vogël personash u është ofruar mundësia e punës për komunitetin.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë kritikuar në të kaluarën proceset gjyqësore në Kubë, duke përmendur mungesën e transparencës.

Mijëra kubanë patën marrë pjesë në protesta, në ishullin e udhëhequr nga regjimi komunist, duke bërtitur “liri”.

Protestat, ndër më të mëdhatë në dekada, kanë shpërthyer pas krizës së rëndë ekonomike, dhe disa protestues patën ngritur zërin për çmimet e rritura dhe mungesë të ushqimit dhe ilaçeve.

Organizimet e paautorizuara publike janë joligjore në Kubë, andaj janë arrestuar më shumë se 1,000 njerëz.

Në disa imazhe të publikuara në rrjetet sociale atëbotë, është parë që forcat e sigurisë kanë rrahur dhe kanë hedhur sprej piperi ndaj protestuesve.

Më 2021, presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka fajësuar Shtetet e Bashkuara – të cilat kanë marrëdhënie të tensionuara me Kubën për dekada – për trazirat.

Ai pati pretenduar se protestuesit kanë qenë mercenarë të paguar për të destabilizuar shtetin.


APR
Romay Lift