Zelensky paralajmëron NATO-n: Ambiciet e Moskës nuk ndalen në Ukrainë
   Ukraina

Zelensky paralajmëron NATO-n: Ambiciet e Moskës nuk ndalen në Ukrainë

REL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë liderëve të NATO-s, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

“Neve na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…neve na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne”, ka thënë Zelensky, teksa i është adresuar Samitit të NATO-s që po mbahet në Madrid.

“Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Evropë – për atë sesi do të duket e ardhmja në botë”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes.

Ai ka bërë thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus.

Zelensky ka bërë thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë, të cilat do t'ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.

“Rusia ende pranon miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar atë”, ka thënë Zelensky.

Stoltenberg: NATO përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas tij, Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës.

Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e aleancës, Stoltenberg ka thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”.

“Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, ka thënë Stoltenberg.

Përditësimi i fundit i politikave të NATO-s është bërë më 2010.

Stoltenberg ka thënë se pret ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.

“Ne do të marrim vendim për të ftuar Suedinë dhe Finlandën që të bëhen anëtare, kjo bëhet me shpejtësi të pashembullt”, u ka thënë ai gazetarëve nga Madridi.

Të dyja shtetet kanë aplikuar për anëtarësim në aleancë në mesin e muajit maj.

“Pas ftesës, duhet të ketë ratifikim të procesit në të 30-të parlamentet”, ka shtuar ai.

“Kjo zakonisht merr kohë, por unë pres që procesi të ecë shpejt, sepse vendet aleate janë të gatshme të veprojnë sa më shpejt që është e mundur”.

Turqia është pajtuar të martën që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia dhe Finlanda për luftim të terrorizmit.

Ankaraja ka kundërshtuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve për disa javë, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri.

Ankaraja i konsideron të dyja këto organizata si terroriste.

Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përmendur më 2019 se NATO-ja po përballej me “vdekje të trurit”, teksa rriteshin dilemat për rrugën që po merrte aleanca.

Fundi kaotik i intervenimit 20-vjeçar të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, ka ndikuar pak, derisa lufta në Ukrainë ka vënë theksin te qëllimi kyç i aleancës: mbrojtja kolektive.

Pushtimi rus në Ukrainë “e ka bërë edhe më të qartë” sa e rëndësishme është NATO-ja për të ardhmen, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në nisje të takimit.

Të mërkurën, aleanca trans-atlantike pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore dhe të rrisë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 në 300,000.

Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar përbërjen e trupave që do të angazhohen në Evropën Lindore, pasi disa vende anëtare dëshirojnë të shmangin bazat e përhershme për shkak të kostove të mëdha.

Baltiku, sidomos Estonia, kanë shtyrë NATO-n që të ndryshojë taktikat pas pushtimit rus në Ukrainë dhe që të sigurojë mbrojtje të plotë të territorit në Evropën Lindore.

Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore – janë duke marrë pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e aleancës.

Vendet anëtare të NATO-s po planifikojnë që të tregojnë përkushtim se do t’i ndihmojnë Ukrainës në periudhë afatgjatë me pajisje, trajnim dhe modernizim të pajisjeve ushtarake të periudhës sovjetike.


APR
Romay Lift