Në Klinikën e Oftalmologjisë pacientët duhet të presin deri në 6 muaj
Shëndetësi

Në Klinikën e Oftalmologjisë pacientët duhet të presin deri në 6 muaj

Venera Adili/ RTK

Listat e pritjes për të kryer një operim në QKUK vazhdojnë të jenë të gjata edhe pse ka pasur premtime se do të punohet për shkurtim të tyre. Në Klinikën e Oftalmologjisë janë shkurtuar vetëm referimet për shërim jashtë vendit, mirëpo pacientët në këtë klinikë presin me muaj për t’u operuar.

Jetullah Isufit i është dashur disa herë të kthehet nga QKUK-ja në Ferizaj pa kryer punë. Ai në Klinikën e Oftalmologjisë e kishte sjellë nënën për trajtim, por iu desh të presë shumë.

"Ka pasur raste që kanë munguar. Kemi pritur 2-3 muaj dhe është dashur të vijmë prej Ferizajt dhe të kthehemi", tha ai.

Arsyeja pse pacientët me muaj nuk mund të marrin shërbime janë listat e gjata të pritjes. Mentor Gorani, oftalmolog, tregon se këtu nuk hyjnë rastet emergjente.

"Pacientët përafërsisht presin 4-6 muaj. Janë duke u thirrur pacientët nga muaji janar, por kemi edhe raste kur nuk mund t'i kontaktojmë", tregoi ai. QKUK-ja ditë më parë e ka konsideruar sukses faktin që nuk po referon pacientë për shërim jashtë vendit.

Megjithatë, listat e pritjes për trajtim brenda vendit mbeten të gjata. Këtë e konfirmon edhe vetë drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

"Po, ka lista të pritjes, por po punojmë që ta zvogëlojmë listën e pritjes. E kemi krijuar një grup të veçantë dhe kemi hartuar një plan të veprimit", tha Krasniqi.

Numri i pacientëve që referohen për trajtim jashtë institucioneve publike është i lartë edhe nëpër klinikat e tjera e të cilat i kushtojnë shtetit miliona euro.


MË SHUME NGA Shëndetësi