Situata pandemike, Gexha: Vaksina mbron nga format e rënda të sëmundjes
Rtklive
Shëndetësi

Situata pandemike, Gexha: Vaksina mbron nga format e rënda të sëmundjes

Albulena Bytyqi /Radio Kosova

Gjatë muajit gusht në Kosovë është shtuar numri i rasteve të vdekjeve, ndërsa është rritur dukshëm edhe numri i rasteve pozitive të infeksionit me COVID -19. Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha për Radio Kosovën se bartja e maskës dhe vaksinimi janë masat kryesore për mbrojtje nga infeksioni. Përkundër rritjes së numrit të të infektuarve, ajo tha se tani për tani nuk pritet do të ketë ndonjë shtrëngim të masave anti covid:

 “Rritja e numrit të rasteve nuk është indikator për shtrëngimin e masave të mëtutjeshme. Masa më e mirë e për të cilën bëjmë thirrje është vaksinimi. Vaksina nuk të mbron qind për qind nga infeksioni por na mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekjet”, tha Gexha. 

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, tha për Radio Kosovën se në klinikën që drejton ai, aktualisht po trajtohen një numër i caktuar i pacientëve post-covid, por sipas tij, gjendja e tyre e është stabile: 

“Kohëve të fundit vazhdimisht janë duke u rritur kërkesat për mjekim nga patologjitë e sistemit respirator. Tash jemi në muajin gusht dhe Klinika e Pulmologjisë është e mbushur me pacientë. E imagjinojeni gjatë  muajve të dimrit kur këto kërkesa dhe nevoja për trajtim të pacienteve rriten për 30 % më shumë!”, tha Hoxha.

Aktualisht në Kosovë me dozën e parë dhe të dytë, mund të vaksinohen të gjithë personat mbi 12 vjeç, ndërkaq, me dozën e tretë të gjithë personat mbi 18 vjeç. Që prej marsit të vitit 2020, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para e deri më  gusht 2022 Kosova ka regjistruar mbi 260 mijë e raste me koronavirus dhe më shumë se 3 mijë vdekje nga COVID-19.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi