Sadiku: Dy qendra të mjekësisë familjare ofrojnë mamografi pa pagesë |Video
Shëndetësi

Sadiku: Dy qendra të mjekësisë familjare ofrojnë mamografi pa pagesë |Video

K. Kasumi/ RTKlive

Muaji tetor është muaj i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Gjatë këtij muaji në dy qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë do të ofrohet shërbim falas për mamografi.

Drejtori për Shëndetësi në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, njoftoi se këtë shërbim falas do ta mundësojnë gjatë gjithë muajit tetor.

Ai tha se sëmundjet malinje vazhdojnë të jenë problematikat kryesore shëndetësore.

“Kanceri apo tumoret së bashku me sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë problematikat kryesore në institucionet shëndetësore në shumë vende, sidomos në vendet evropiane. Edhe pse nuk kemi statistika të sakta për shkak të mungesës të sistemit të informimit shëndetësor, prapëseprapë mendoj se trendët që janë përreth nesh janë edhe në Kosovë. Pra, sëmundjet malinje, fatkeqësisht, vazhdojnë të jenë problematikat kryesore shëndetësore”, deklaroi ai.

Sadiku tha se një në tetë gra ka tumor të gjirit.

“Te femrat tumoret e gjirit vazhdojnë të jenë një prej problemeve kryesore. Sot konsiderohet se një në tetë femra ka tumor të gjirit. Për këtë arsye, me qëllim të solidarizimit me këtë problematikë dhe me personat që jetojnë me këtë problematikë, muaji tetor gjithkund në botë është muaj që i kushtohet ndërgjegjësimit dhe vetëdijesimit të kësaj problematike. Për këtë çështje me shumë organizata joqeveritare në kryeqytet kemi zhvilluar aktivitete me qëllim që ta ngrehim vetëdijen e qytetarëve. Një prej këtyre aktiviteteve tona është mamografi pa pagesë në dy qendra të mjekësisë familjare”, tha Sadiku.

Sipas tij, mamografi pa pagesë ka nxitur të dyfishohet numri i të interesuarave.

“Kemi rritje të numrit të atyre që janë të interesuara të bëjnë mamografi. Mesatarisht gjatë vitit çdo ditë kanë bërë mamografi katër deri në pesë gra. Në javën e parë të tetorit janë paraqitur tetë gra. Domethënë, numri i grave që kanë kërkuar të bëjnë mamografi është dyfishuar”, tregoi Sadiku.

Për më shumë ndiqeni videon më poshtë:


MË SHUME NGA Shëndetësi