Rrëfimi i grave që luftojnë me kancerin e gjirit |Video
Myrvete Axhami/RTK
Venera Ahmeti është diagnostikuar me kancer të gjirit një vit më parë. Ishin dyshimet e vetë asaj, e më pas konfirmimi nga mjekët specialistë se ajo ishte prekur nga kjo sëmundje.
“Shumë mirë jam. Kam marr kimioterapi. Tashmë jam duke pritur për rrezatimet. Jam shumë optimiste”, thotë Venera për RTK-në.
Me këtë diagnozë vuan edhe Emine Avdyli. Ajo thotë se ndryshimet në shëndetin e saj i vuri re gjatë pandemisë dhe nuk filloi me kohë terapinë. Megjithatë edhe Eminia ndihet mirë.
“kam bërë 31 rrezatime. Kështu që kam qenë mirë në gjashtë muajt e parë. Tash, mundohem me ushqim të kujdesshëm, të shkoj në bjeshkë. Por kaq është kapaciteti ynë”, thotë ajo.
Të dyja këto gra, kanë apel të veçantë për të gjitha gratë, që të bëjnë kontrollet e nevojshme.
Në spitalin rajonal të Prizrenit në shërbim të popullatës janë tetë radiolog të specializuar të kësaj lëmie.
“Shumë shpejt në repartin tonë do të pajisemi me një aparat të sofistikuar të rezonancës magnetike ku mund të bëhet edhe rezonanca magnetike e gjirit”, thotë radiologia Arta Dula.
Gjatë këtyre ditëve specialistë të kësaj lëmie kanë demonstruar me foto, video dhe statistika mënyrat dhe kujdesin se si të vërehen ndryshimet me rastin e shfaqjes së kancerit të gjirit.
Sipas specialistëve numri i vdekjeve ndër vite është mjaft i lartë dhe çdo e 8-ta grua mund të preket nga kanceri. Andaj, identifikimi dhe diagnistifikimi i hershëm mbetet mënyra e vetme për të shpëtuar jetë.























