Infermierët të ngarkuar me procedura, kërkojnë anulimin e tyre|Video
BKT
Foto: RTKLive
Shëndetësi

Infermierët të ngarkuar me procedura, kërkojnë anulimin e tyre|Video

Venera Xhoxhaj/RTK

Urdhëresat e U.D. e drejtorit të SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu Raçi, që infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit, të bëjnë evidentimin e palëve, sigurimin e barërave gjatë vikendeve dhe ta thërrasin mjekun në rast nevoje, kanë detyruar sindikatën e infermierëve që t`u drejtohen avokatit të popullit e inspektoratit të punës për ndihmë.

"Këto urdhëresa përveç që janë diskriminuese, e kalojnë infermierin jashtë kompetencave dhe përvec KMDLNJ-së, kemi kontaktuar edhe me Avokatin e Popullit dhe me inspektoratin e punës", thotë Enlirat Duraku, kryetar i Sindikatës së Infermierëve.

Por ndryshe mendon Pranvera Zejnullahu Raçi, U.D. e drejtorit të SHSKUK-së. "Kjo është një siguri për infermierin edhe në aspektin ligjor, se është marr me pacientin"

Sindikalistët këmbëngulin se këto urdhëresa nuk do të duhej të zbatohen pas shkresës së ish ministrit të shëndetësisë Rifat Latifi i cili kërkoi nga Bordi i këtij institucioni që secila prej tyre duhet të përshtatet konform përshkrimit të detyrave të punës.
"Kjo është hedhur poshtë si kërkesë, andaj ne këtë e konsiderojmë si veprim ligjor”, thotë Enlirat Duraku, kryetar i Sindikatës së Infermierëve.

E kontaktuar nga RTK-ja kryetarja e Bordit të SHSKUK-së Aida Rexhepi ka thënë se ato do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme.  
Megjithatë në disa klinika ka filluar zbatimi i tyre.
Merita Elezi kryeinfermiere në klinikën e endokrinologjisë thotë se krahas punës që e bëjnë zakonshëm po i përfillin kërkesat nga menaxhmenti.

"Si staf i endokrinës po mundohemi t’i zbatojmë këto kërkesa, por mungesën jemi tu e ndier si çdo repart sepse kemi pak staf dhe na kanë ngarkuar me punë ngase ka pak infermierë për terapi dhe ekzaminimet tjera që bëhen te ne", thotë Merita Elezi, kryeinfermiere në Klinikën e Endokrinologjisë.

Drejtues të Klinikës thonë se ato do të respektohen deri në një vendim tjetër ndërsa për punën me palë ka angazhuar edhe sigurimin.
Urdhëresës së menaxhmentit të SHSKUK-së i është përgjigjur pozitivisht edhe klinika e Nefrologjisë.


MË SHUME NGA Shëndetësi