Osmani: Donacionet në Onkologji do të jenë më të mëdha
K.Kasumi/ RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, me ç’rast janë shpërndarë 100 proteza silikoni e 100 gjoksore, projekt i mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, si dhe 100 paruke, donacion i Koalicionit K10 dhe Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara UNFPA Kosova, zyra në Prishtinë.
Presidentja ka takuar strukturat drejtuese të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci, u.d. drejtoreshë e SHSKUK-së, Arben Bislimi, u.d. drejtorin e Klinikës së Onkologjisë dhe Nafije Latifin, themeluese e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, “Jeta/Vita”.
Presidentja tha se duhet të përpiqemi bashkë përgjatë gjithë vitit.
“Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit por, siç tha dr. Arbeni për këtë klinikë, nuk është vetëm muaji tetor muaji rozë, por të dymbëdhjetë muajt janë të tillë, rrjedhimisht çdo përpjekje e jona e përbashkët duhet të jetë përpjekje që vazhdon për dymbëdhjetë muaj të vitit, për çdo vit”, tha Osmani.
Ajo deklaroi se sëmundjet malinje marrin jetë, mirëpo nëse kemi kujdes atëherë kemi edhe jetëgjatësi.
“Në mënyrë që të jemi të suksesshëm në parandalimin e kancerit të gjirit, por edhe të sëmundjeve të tjera malinje, të cilat, për fat të keq, marrin shumë jetë, por në qoftë se jemi të kujdesshëm, në qoftë se ka zbulim të hershëm, atëherë kemi edhe jetëgjatësi dhe në shumë raste mbijetesë ndaj kësaj sëmundje jashtëzakonisht të rrezikshme. Jemi këtu së bashku me drejtoreshën, drejtorin e klinikës, me znj. Nafije, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme që nga viti 2006 për ndërgjegjësimin e qytetarëve tanë, në veçanti të grave për rëndësinë e bërjes së mamografisë...”, shtoi ajo.
Ajo vlerësoi lart punën e mantelbardhëve e që, sipas saj, kjo vlerësohet edhe nga pacientët. Ajo kërkoi që mbështetja për ta të jetë edhe më e madhe.
“Donacioni që dhurojmë sot për protezat e gjirit do të rritet nga viti i ardhshëm. Presidenca do të mbulojë një pjesë shumë më të madhe të këtyre donacioneve për gratë që përballen me këtë”, deklaroi Osmani.























