Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë e shqetësuar për ikjen e infermierëve
E.Hoti/RTKlive
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së përmes një komunikate për media ka thënë është duke e përcjellur me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësor nga QKUK, e në veçanti të infermierëve.
Sipas kësaj sindikate, A.G., L.I., G.S., K.D., V.I., G.K., janë vetëm disa nga mbi 500 infermierët e larguar nga Kosova vetëm gjatë këtij viti.
Njoftohet se në përgatitje që të largohen gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermier.
“Padyshim që meritojnë një vëmendje institucionale, mirëpo edhe përpjekje serioze dhe maksimale për t’a ngadalsuar këtë trend, duke ofruar kushtet për punë por edhe ngritje pagash.
Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intenziv, Teknikët e Anestezionit, Istrumentaret, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinka të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionist që i mbajnë këto klinika “Up and Running”, pavarësisht mungesës së mjekëve”, thuhet në komunikatë.
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së thotë se roli i tyre është kyç në fuksionimin normal të punës, teksa kërkon që t’u njihet puna dhe angazhimi si dhe të respektohen si profesionist shëndetësor.
“Andaj në vend të presionit, shtypjes, degradimit personal dhe profesional, të krijohen kushte të sigurta dhe më të mira pune, të respektohen këta profesionist dhe roli i tyre, t’u njihet puna dhe angazhimi si dhe të respektohen si profesionist shëndetësor, të mos zhvendoset fokusi i tyre nga kujdesi për qytetarin në fushën administrative dhe korrieri.Urojmë që Qeveria, Ministria përkatëse të reflektoj, ndërsa urojmë që edhe nga këta profesionist mos të largohen nga Kosova, sepse atëherë do shihet vërtetë kolapsi në këto klinika, ndërsa të njëjtit nuk ka mundësi të zëvendësohen, pasi një profesionist i tillë nuk krijohet brenda muaji, e në anën tjetër qytetarët do e pësojnë më së shumti”, thuhet në fund të njoftimit.























