Elon Musk blen Twitter-in
Tech

Elon Musk blen Twitter-in

REL

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka kompletuar blerjen e kompanisë Twitter, raportuan mediat në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja është në vlerë prej 44 miliardë dollarësh.

Ai shkroi në Twitter se “zogu është liruar”, një referencë për logon e kësaj kompanie, por si duket edhe për dëshirën e tij që kjo kompani të ketë më pak kufizime lidhur me përmbajtjen që postohet në të.

Raportohet se një numër i udhëheqësve të kompanisë janë pushuar nga puna, përfshirë edhe shefin e Twitter-it, Parag Agrawal.

Me përmbylljen e marrëveshjes merr fund edhe saga gjyqësore, pasi Twitter e kishte iniciuar një rast në gjykatë me qëllim që ta detyronte miliarderin që t’i përmbahej marrëveshjes së blerjes së kompanisë.

Twitter ende nuk e ka konfirmuar përmbylljen e marrëveshjes, por një investitor në këtë kompani i tha BBC-së se marrëveshja është finalizuar.

Musk ka qenë kritik i politikave të Twitter-it dhe lajmi se ai ka blerë këtë platformë të rrjeteve sociale është pritur me ndjenja të përziera nga përdoruesit e Twitter-it dhe punëtorët.

Miliarderi megjithatë ka thënë se ai dëshiron që të parandalojë që kjo platformë të bëhet vend për përhapjen e urrejtjes dhe pikëpamjeve ndarëse.

Ai dëshiron që ndryshojë algoritmat që përcaktojnë se si përmbajtja u paraqitet përdoruesve të Twitter-it.

Musk ende nuk ka ofruar detaje se si do t’i arrijë këto qëllime. Ai ka paralajmëruar se do të shkurtojë numrin e punëtorëve, duke lënë vetëm afër 7.500 punëtorë. Të enjten, ai po ashtu tha se nuk do ta blejë kompaninë për të fituar para, por “për të ndihmuar njerëzimin, të cilin e dua”.

Përveç shefit ekzekutiv, Parag Agrawal, po ashtu raportohet se nga puna janë pushuar edhe shefi i financave, Ned Segal dhe ai për çështje ligjore dhe politika, Vijaya Gadde. Sipas raportimeve, Musk i ka akuzuar këta persona se e kanë mashtruar atë dhe investitorët e tjerë të Twitter lidhur me numrin e llogarive të rreme në këtë platformë.

Përpara se të përmbyllte marrëveshjen e blerjes së kompanisë Twitter në vlerë prej 44 miliardë dollarësh, Musk shkoi në selinë e Twitterit të mërkurën duke mbajtur në duar një lavaman porcelani. Siç thuhet, kjo vizitë kishte për qëllim që të qetësonte punëtorët lidhur me shkurtimet në këtë kompani dhe për të siguruar ata se kritikat e tij në të kaluarën për kompaninë, nuk do ta dëmtojnë atë.

“Twitter padyshim se nuk mund të bëhet një vend i lirë për gjëra të këqija, ku çdo gjë mund të thuhet pa pasur pasoja”, tha Musk përmes një letre të hapur që i dërgoi Twitter-it të enjten.

Musk më herët ka paralajmëruar se do të rikthejë disa prej llogarive të bllokuara në të kaluarën, përfshirë atë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, që u përjashtua nga Twitter pasi mbështetësit e tij sulmuan Kongresin amerikan.

Përmbyllja e marrëveshjes vjen pas disa muajsh përplasjes mes Twitter-it dhe Musk. Miliarderi më 4 prill njoftoi se dëshironte të blinte 9.2 për qind të aksioneve të kompanisë, duke e bërë atë aksionarin më të madh.

Por, ai u tërhoq nga blerja e kompanisë në minutat e fundit, pasi ndryshoi ofertën. Pas një jave, dy palët u pajtuan për çmimin.

Por, në javët në vijim, Musk shprehu dyshime, duke deklaruar publikisht se numri i llogarive të rreme në këtë platformë ishte shumë më i lartë se shifrat e paraqitura nga Twitter.

Më 8 korrik, Musk u tërhoq nga marrëveshje duke thënë se Twutter e kishte mashtruar atë duke i ofruar informacione të gabuara. Por, vetëm katër ditë më vonë, kompania e paditi atë, duke kërkuar nga gjykata që të detyronte miliarderin që të mos tërhiqej nga marrëveshja për blerje.

Shumica e ekspertëve ligjorë argumentuar se Twitter do të fitonte betejën në gjykatë dhe më 4 tetor, një muaj para se të niste gjykimi, Musk njoftoi për planet se do të vazhdonte me përmbylljen e marrëveshjes për blerjen e kompanisë, me çmimin që kishte premtuar.


MË SHUME NGA Tech