MSh u bënë thirrje qytetarëve për vaksinim
Albulena Bytyqi / Radio Kosova
Nga sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve, sidomos personave më të moshuar dhe personave me sëmundje kronike, që të vaksinohen.
Ndërkaq, nga Qendra e Mjekësisë Familjare numër 1 në kryeqytet thanë për Radio Kosovën se tashme janë furnizuar me dozat kundër gripit sezonal.
Kërkesat të mëdha për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal janë nga moshat e shtyra. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër në kryeqytet, thonë se tashmë janë furnizuar me doza të mjaftueshme të vaksinave.
Disa qytetarë, ndërkaq, thanë për Radio Kosovën se presin të vaksinohen shumë shpejt me vaksinat kundër gripit sezonal.
“Unë përherë e marr vaksinën kundër gripit sezonal. Jo ende se kom marr, po pres qe të shkoj ta marr, i kam marr gjithmonë ka 6-7 vite që vaksinohem. Akoma se kam marr, ndoshta kam kohë të shkoj ta marr se prapë po më mbron nga gripat” tha një qytetar.
Specialistja e Mjekësisë Familjare në QMF nr. 1 në Prishtinë, Vjollca Zeqiri, thotë se janë furnizuar me vaksinat e gripit sezonal dhe nga e hëna fillohet me procesin e vaksinim.
“Ideale do të kishte qenë ma mirë nëse merret vaksina në fund të muajit shtator dhe në tetor. Por edhe në muajin nëntor e dhjetor ata të cilët nuk e marrin munden lirisht ta marrin. Grupmoshat të cilat duhet ta marrin vaksinën e gripit sezonal, janë grupmoshat me rrezikshmëri siç janë: Moshat mbi 65 vjeç, pastaj të sëmurët kronikë, pastaj vijnë shtatzënat, fëmijët mbi moshën 6 muajsh si dhe personeli shëndetësor”, tha Specialistja e Mjekësisë Familjare në QMF nr. 1 në Prishtinë, Vjollca Zeqiri.
Vaksinimi kundër gripit sezonal mund të bëhet çdo ditë pune në Njësitë e vaksinimit në kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.