Deputetët dënojnë dhunën ndaj të moshuarës në Pejë
Shëndetësi

Deputetët dënojnë dhunën ndaj të moshuarës në Pejë

Emine Hoti/RTKlive

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, drejtuar nga kryetarja e Fatmire Kollçaku Mulhaxha, në mbledhjen  e sotme diskutoi për organizimin e tryezave. Deputetët gjatë diskutimeve dënuan edhe sulmin që ndodhi ndaj një të moshuare në shtëpinë e pleqve në Pejë.

Komisioni diskutoi nga ana formale lidhur me organizimin e tre tryezave deri në fund të vitit, të cilat do të kenë vlerën e diskutimit me aktorë kryesorë të sektorëve të ndryshëm të shëndetësisë. Ata theksuan se duhet bërë një përzgjedhje sa më e mirë e personaliteteve për panelin e këtyre tryezave.

Drejtuesja e komisionit ftoi deputetët që tryeza e parë të ketë si tematikë diskutimi problemin e protokolleve, për të cilën deputetët e mbështetën si propozim.

Gjatë diskutimeve të gjithë deputetët reaguan ashpër me rastin flagrant të dhunimit, të shfaqur dje në media. Ata kërkuan dhënien e llogarisë, jo vetë nga ana ligjore por deri tek masat ndaj atyre që kanë licencuar kompani dhe njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me minimumin e moralit të përkujdesjes.

Gjithashtu u theksua se komisioni duhet të marrë përsipër monitorimin e këtyre institucioneve që rastet të tilla të mos përsëriten.

Kryetarja e Komisionit Shëndetësor, Fatmire Kollçaku ka thënë se të gjitha licencat që janë lëshuar për këto veprimtari duhet të rishikohen dhe të precizohen të gjitha rregullat se kush mund të themelojë një institucion të tillë që i plotëson parakushtet infrastrukturore, sociale dhe shëndetësore.

“Është detyrë e jona që të vazhdojmë me monitorimin në këto shtëpi. Ne si komision me këto vizita jo vetëm që do ta monitorojmë legjislacionin në fuqi, por do t’i japim kontribut në plotësim ndryshimin e amandamentimit të projektligjit që do të sillet nga qeveria për shërbime sociale dhe familjare”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se rastet e dhunës nuk duhet të trajtohen si të izoluara dhe se duhet të kenë trajtim me prioritet. “Rastet e dhunës  janë të papranueshme kudo që ndodhin. Shpreh indinjatën për atë çka kemi parë. Është thirrje për institucionet që kanë përgjegjësi”, tha ai.

Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, sulmin ndaj të moshuarës në Pejë e ka quajtur akt makabër. “Është një akt i izoluar që e kërkon dënimin maksimal. Këto akte duhet të marrin dënimin e të gjithë neve dhe të mos përsëriten. Të rritet kontrolli, të rritet inspektimi në të gjitha institucionet shëndetësore jo vetëm aty ku ka lajmërime dhe paralajmërime, por të shikohet edhe aty ku nuk ka që mos të ndodhin raste të tilla”, tha Avdyli .

Ndërkaq Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar ndëshkimin e infermieres.“Dënoj  dhunën ndaj nënës së dëshmorit. Të ndëshkohet infermierja në mënyrë që të mos përsëritet rasti”, tha ai.

Edhe Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se këto raste duhet të ndëshkohen dhe monitorohen nga Komisioni.


MË SHUME NGA Shëndetësi