Shumica e QMF-ve pa pediatër, vizitat kryhen nga mjekët familjarë|Video
Shëndetësi

Shumica e QMF-ve pa pediatër, vizitat kryhen nga mjekët familjarë|Video

Besjana Mulaj/RTK

Zbatimi i udhëzimit administrativ të Ligjit për Shëndetësi ka bërë që disa nga qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë të mbesin pa pediatër. Tash e tutje fëmijët do të kontrollohen nga mjeku familjar, ndërsa për problemet më të theksuara do të referohen në klinikën pediatrike të QKUK -së. Drejtori i shtëpive të shëndetit, Bujar Gashi, thotë se kjo rregullore do të funksiononte më mirë sikur të ekzistonte spitali i qytetit.

Me vetëm 5 pediatër funksionon e gjithë komuna e Prishtinës. Qendra e Mjekësisë Familjare nr. 5 në Dardani, tash e një muaj ka mbetur pa pediatër. Fëmijët kontrollohen nga mjeku familjar dhe presin në të njëjtin vend me të rriturit, ku rreziku i bartjes së infeksioneve është i lartë. Madje kjo situatë ka bërë që një mjek familjar të kontrollojë gjatë ditës deri në 70 pacientë e që, sipas rregulloreve shëndetësore, numri më i lartë llogaritet të jetë 20 pacientë në ditë.

"Me mungesën e pediatrit është shtuar fluksi i pacientëve, por ne po mundohemi t'ju ofrojmë trajtim edhe fëmijëve. Problemi na paraqitet në rastet e pritjes, sepse në të njëjtin vend presin edhe të rriturit dhe mundësia e bartjes së infeksioneve është e lartë", u shpreh Nesrije Paçarada, mjeke familjare.

Prindërit janë shprehur të revoltuar ndaj mungesës së pediatërve, por nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Ndërsa përfaqësuesit e kujdesit parësor të Prishtinës, thonë se ligjërisht nuk lejohen që të punësojnë pediatër të rinj.

"Kujdesi parësor arrin të zbatojë këtë udhëzim administrativ me të cilin nuk lejohet që të punësojë pediatër të ri, krejt këta që janë do të vazhdojnë punën e tyre deri në pensionim. Klinika pediatrike vazhdimisht ankohet për numër të lartë të referimeve, por, bazuar në statistika, referimet janë brenda rregullave ligjore dhe jemi të detyruar në mungesë të spitalit të Prishtinës", tha Bujar Gashi, drejtor i shtëpive të shëndetit, në Prishtinë.

Me udhëzimin administrativ të Ligjit për Shëndetësi, të aprovuar në vitin 2017 dhe atij 2020, parashihet që të gjitha shtëpitë e shëndetit të mbesin pa pediatër dhe të funksionojnë vetëm me mjekë familjarë. Në mungesë të spitalit të Prishtinës, i cili do të shërbente si nivel sekondar shëndetësor, rastet më të rënda do të referohen në klinikën pediatrike të QKUK -së, e cila vazhdimisht ka mbingarkesë.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi