Buxheti për shëndetësinë, 296 milionë euro, kërkohet planifikim
Shëndetësi

Buxheti për shëndetësinë, 296 milionë euro, kërkohet planifikim

Albulena Bytyqi/ Radio Kosova

Rritja e buxhetit për sektorin e shëndetësisë po shihet si e mirëseardhur nga njohësit e shëndetësisë. Sipas tyre, problemi është te mënyra se si do të shfrytëzohet ky buxhet. Nga shoqëria civile thonë se ka mungesë të planifikimit të buxhetit.

Qeveria e Kosovës me planifikimin e ri buxhetor për vitin 2023 ka ndarë  296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë

Ilir Tolaj, profesor ne Fakultetin e Mjekësisë, ka thënë për Radio Kosovën se krahas rritjes  së buxhetit, është i domosdoshëm përcaktimi i prioriteteve për investime.  

“Në një situatë çfarë është sistemi shëndetësor, ku nevojat janë të shumta në të gjithë sektorët, ndarja e prioriteteve adekuate do të jetë mjaft e rëndësishme. Rritja është e mirëseardhur, por e pa mjaftueshme dhe do të varet shumë se si do të shfrytëzohet ky buxhet”, tha Tolaj.

Diana Metushi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë  për Radio Kosovën se rritja e buxhetit jo domosdoshmërish do të reflektojë në rritjen e performansës institucionale, nëse marrin për bazë shpenzimin e buxhetit paraprak.

“Megjithatë Ministria e Shëndetësisë sidomos në tri vitet e fundit ka pasur një performansë tejet të ulët në shpenzimin e buxhetit. Fokusi kryesor duhet të jetë në identifikimin e problemeve që janë brenda këtij dikasteri. Mendoj qe jo domosdoshmërish jo vetëm ta rrisim buxhetin. Kjo mund të rrezikojë këtë buxhet që të  bllokohet dhe nuk do të shfrytëzohet ose të keqpërdorët edhe me tutje”, deklaroi Metushi.

Ndërsa nga Federata e Mjekëve të Kosovës kryetarja Tevide Imeri tha se duhet të investohen mbi një miliard euro në shëndetësi nëse synohet nivel shëndetësor krahas vendeve të zhvilluara.

 

 


MË SHUME NGA Shëndetësi