OIK ndëshkon disa infermiere për shkelje të kodit etik
Shëndetësi

OIK ndëshkon disa infermiere për shkelje të kodit etik

B. H. / RTKlive

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIK) ua ka pezulluar licencat përkohësisht dy infermiereve, derisa ka gjobitur në shumën prej 1000 euro dy infermiere tjera. Po ashtu, ua ka shqiptuar masën e qortimit publik gjashtë infermiereve.

Vendimi është marrë nga Këshilli Etik, pasi është zbuluar nga Prokurori i Odës se të njëjtit kanë bërë shkelje të Kodit Etik të Odës së Infermierëve të Kosovës të sanksionueshme ligjërisht, njofton OIK.

“Të njëjtit kanë paraqitur në Odën e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë certifikata të falsifikuara për ndjekjen e edukimit të vazhdueshëm profesional me qëllim që ato të validohen dhe të përdoren për ri licencimin e tyre. Prandaj, Këshilli Etik ka vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për të caktuar përgjegjësinë të njëjtave”, thuhet në njoftimin e OIK-ut.

Sipas njoftimit tërheqje e licencës në afat 1 vjeçar i është bërë një anëtareje të OIK e cila me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, u ka shërbyer disa kolegeve të saja (që këtë rast kanë marrë gjoba materiale dhe qortime publike) certifikatat e falsifikuara.

“Oda po ashtu tërheqje prej tre muajsh të licencës i ka bërë edhe anëtares tjetër e cila nuk ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorin dhe organet tjera të OIK. Kurse, gjoba materiale prej 1000 euro u janë shqiptuar infermiereve që janë larguar nga intervistat pasi janë ftuar nga prokurori i OIK. Kurse, atyre që kanë pranuar fajësinë, kanë bashkëpunuar me organet e OIK me qëllim të zbardhjes së të vërtetës dhe kanë shprehur pendesë për gabimin që kanë bërë, u janë shqiptuar qortime publike. Të njëjtëve nga OIK iu është ngritur kallëzim penal në prokurorinë përkatëse me qëllim të ndjekjes penale dhe nuk do të amnistoj asnjë person që pretendon të ri licencohet me dokumentacion të falsifikuar”, thuhet tutje në njoftim.

OIK ka bërë të ditur se do të jetë i pakompromis dhe do të zbuloj e do të merr masa ndaj të gjithë atyre që shkelin Etikën Profesionale dhe rregullat tjera të Odës si dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.


MË SHUME NGA Shëndetësi