Në SHSKUK pacientët detyrohen të blejnë ilaçe |Video
Besijana Mulaj /RTK
Mungesa e barnave të listës esenciale është bërë pothuajse përditshmëri në Shërbimin Spitalor të Kosovës. Familjarët e pacientëve çdo ditë blejnë barna ndërsa nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së nuk japin të dhëna të detajuara se cila klinikë ka më shumë mungesë të barnave. Megjithatë, zyrtarët e Barnatores Qendrore thonë se furnizimi me barna është i qëndrueshëm.
Receta për blerjen e barnave, përshkruhen çdo ditë nga mjekët e QKUK-së. Mungesa e furnizimit të plotë të listës së barnave esenciale, po plotësohet nga familjarët e pacientëve. Çmimet e barnave janë të larta.
"Albuminat po mungojnë. Ato 30 euro kushtin vetëm një, e çdo ditë duhet me i ble. Me rroga problem është me ja dalë", thotë një familjar i pacientëve.
Një familjar tjetër i cili priste para Klinikës së Pediatrisë, por që nuk pranonte të fliste para kamerave, thotë se mungon edhe materiali shpenzues elementar.
"As ngjitës për gjilpërën e infuzionit nuk kanë, se le më tjerat nuk vijnë në shprehje. Për 10 ditë i kam shpenzuar 500 euro vetëm për barna".
RTK ka siguruar edhe receta me të cilat janë udhëzuar familjarët që t'i blejnë barnat që mungojnë, e në mesin e tyre vërehet se ka mungesë të theksuar të ampulave.
Ndërsa në një përgjigje me shkrim, zyrtarë nga Barnatorja Qendrore thonë se furnizimi me barna esenciale është i qëndrueshëm, por barnat që mungojnë janë në procedura tenderuese.
“Për mungesat që janë jashtë planifikimit identifikohen në bazë te komunikimeve të përditshme me Spitalet Rajonale dhe duke shkëmbyer stoqet sipas mundësive , thuhet në përgjigjen e tyre.
Për vitin 2023 për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar janë ndarë 139 milionë euro, prej tyre 36 milionë për barna dhe material shpenzues, 6 milionë më shumë se këtë vit.
Ndërsa shuma totale e ndarë për shëndetësinë është 296 milionë euro.