Kosova me shkallën më të ulët të infektuarve me HIV
M.Shefkiu/RTKlive
Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme. Kështu njofton Ministria e Shëndetësisë me rastin e 1 Dhjetorit - Ditës Botërore kundër AIDS-it, ditë kjo e cila në shumë vende të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje.
Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Kosovë nuk ka epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV.
“Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor te vitit 2022, në vendin tonë janë raportuar 157 raste me HIV dhe AIDS. Sa i përket shpërndarjes së rasteve sipas gjinisë, numri më i madh i takon gjinisë mashkullore rreth 76%. grupmosha më e atakuar është 25 deri 44 vjeç”, njofton MSH.
Deri më tani, në Kosovë 51 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it, thuhet më tej në njiftim.
“Në vitin 2022, janë raportuar 15 raste me HIV infeksion dhe dy raste me AIDS, prej tyre 6 janë nga komuniteti MSM, derisa aktualisht në trajtim janë 52 persona të infektuar me HIV”, njofton Ministria e Shëndetësisë, e cila thotë se siguron falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me HIV.
Këtë vit me moton “Barazi” është adresuar kampanja për të luftuar pabarazinë dhe për të ndihmuar në përfundimin e AIDS-sit.
Kjo përfshinë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shërbime cilësore për trajtim, testim dhe parandalim të HIV-it, në mënyrë që të gjithë të marrin shërbime të nevojshme, si dhe; “Reformimin e ligjeve dhe praktikave që trajtojnë stigmën dhe përjashtimin me të cilin përballen njerëzit që jetojnë me HIV”.
Ndryshe, sipas statistikave globale, HIV vazhdon të jetë një çështje e madhe globale e shëndetit publik, pasi që vetëm në vitin e kaluar 1.5 milion njerëz u infektuan me HIV, ndërsa 38.4 milionë njerëz në botë vazhdojnë të jetojnë me HIV..
“650 mijë njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me AIDS në vitin 2021, kurse 28.7 milionë njerëz po përdornin terapinë antiretrovirale”.
Bazuar edhe në statistikat e OBSH-së, 84.2 milionë njerëz janë infektuar me HIV që nga fillimi i epidemisë, ndërsa gjysma e tyre, 40.1 milionë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje. E më e keqja, sipas njoftimit, është se rreth 5.9 milionë njerëz nuk e dinin se ishin me HIV infeksion në vitin 2021.























