Testimet për HIV-AIDS, të infektuarit të mos stigmatizohen|Video
Besjana Mulaj/ RTK
Që 5 ditë, kur është hapur qendra mobile e testimit për sëmundjet që barten nga marrëdhëniet seksuale, janë testuar 30 vullnetarë. Organizatorët e kësaj fushate kundër HIV-AIDS-it thonë se kjo shifër tregon se vetëdijesimi i qytetarëve për testim është rritur, marrë parasysh edhe ruajtjen e privatësisë. Testimi mund të bëhet vetëm në institucionet publike shëndetësore, ndërsa klinikat dhe laboratorët privatë nuk janë të licencuar për këto testime.
Përfaqësuesit e organizatave thonë se testimi dhe rezultati janë konfidenciale.
“Nuk nuk marrim as emër e as mbiemër, asnjë të dhënë për personin, krijohet një kod unik që është ndërkombëtar dhe me at kod e merr edhe rezultatin, koha e inkubacionit deri te shfaqja e
simptomave është 7 deri në 8 vjet”, tha Arbër Nuhiu nga CSGD.
Gjatë këtij viti janë shënuar 18 raste të reja me HIV pozitiv, që kryesisht i takojnë moshës 20 deri në 25 vjeç. Ndërsa 54 raste janë aktive, që trajtohen, herë pas here, nga klinika infektive.
“Këtë vit kemi numër më të madh të rasteve të reja në krahasim me vitin e kaluar dhe këta i takojnë, kryesisht, moshës së re, moshë që është aktive për marrëdhënie seksuale dhe i takojnë grupit të homoseksualëve, sepse tendencat te ato raste janë të më mëdha të bartjes së sëmundjes”, Murat Mehemti, Infektolog.
Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se është shumë e rëndësishme që të
infektuarit të mos stigmatizohen.
“Mesazhi i parë është edukimi për mënyrën e bartjes së HIV AIDS, pastaj është shumë
rëndësishme që të mos i diskriminojmë ata që janë të prekur nga virusi, qytetarët duhet t’i dinë
mundësitë e trajtimit që në Kosovë janë pa pagesë dhe për vitin e ardhshëm do të organizojmë
ligjërata vetëdijesimi në disa universitete”, deklaroi Oleksander Martynenko, shef i zyrës së OBSH-së në Kosovë.
Që nga viti 1986 në vendin tonë janë shënuar 157 raste pozitive, 51 prej tyre kanë vdekur si pasojë e HIV-AIDS-it.























