Pandemia drejt fundit, pak të infektuar asnjë i vdekur nga Covid 19
Albulena Bytyqi/Radio Kosova
Në Kosovë muajve të fundit nuk ka pasur raste të vdekjeve nga virusi Covid-19. Infektologët thonë se në Kosovë aktualisht gjendje epidemiologjike është e qetë. Sipas tyre, pandemia është drejt fundit, por që përfundimin e pandemisë në Kosovë e shpall Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ende nuk e ka thënë fjalën e fundit rreth përfundimit të pandemisë Covid-19, që goditi tërë planetin.
Në Kosovë muajve të fundit gjendja është e qetë nga Covid -19. Në raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, gjatë muajve të fundit nuk është raportuar për asnjë rast të vdekjes. Ndërkohë që edhe numri i rasteve aktive ka shënuar rënie drastike.
Drejtori i Klinikës Infektive në SHSKUK, infektologu Arben Vishaj, ka thënë për Radio Kosovën se edhe pse situata me Covid- 19 është e qetë, fundin e pandemisë mund ta shpallë vetëm Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Në vendin tonë e kemi sistemin e tillë që përfundimin e pandemisë e shpall Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me instanca të tjera që janë të autorizuara për të bërë një gjë të tillë”, deklaroi Vishaj.
Por, për profesorin universitar Ilir Tolaj, pandemia Covid -19 tashmë ka marrë fund. Sipas tij, tashmë do të ketë vetëm raste sporadike të këtij virusi, por që pesha e saj është shumë e vogël, krahasuar me dy vitet më parë.
“Pandeminë që kemi njohur e kemi kaluar, ndërsa do të këtë raste sporadike të cilat mund të shfaqën me numër më të vogël, ose edhe të mos kemi asnjë rast tjetër dhe forma klinike është më lehtë njerëzit e kalojnë virusin edhe në këmbë, dhe se nuk janë fare të interesuar të testohen”, deklaroi Tolaj.
Që prej fillimit të pandemisë në Kosovë, kur në mars të viti 2020, u regjistrua rasti i parë, deri tani janë infektuar mbi 272 mijë persona, nga të cilët kanë ndërruar jetë 3 mijë e 202 persona.























