Vazhdon të jetë shqetësuese ikja e profesionistëve shëndetësorë
Emine Hoti/RTKlive
Grupi për Ballkan ka publikuar sot raportin “Shëndetësia në Kosovë: Emigrimi i mjekëve dhe punëtorëve shëndetësor”. Aty janë ofruar edhe rekomandime se si duhet të veprojnë institucionet e vendit për të parandaluar largimin e punëtorëve në këtë sektor.
Arieta Dragusha nga Grupi për Ballkan tha se lëvizja e mjekëve te ne tregon më shumë mungesë perspektive, se sa vetëm mungesë të një vendi të punës.
Dragusha theksoi se migrimi qytetarëve dhe fuqisë punëtore vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë, sidomos në sektorin e shëndetësisë.
“Momentalisht punojnë mbi 7 mijë punëtorë shëndetësorë me origjinë nga Kosova në institucionet shëndetësore dhe sociale në Gjermani. Krahasuar me numrin e popullsisë vetëm Bosnja ka më shumë nga i gjithë Ballkani Perëndimor”, tha ajo.
Dragusha deklaroi se sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve nga viti 2018 deri në shtator të vitit 2022, kjo odë ka lëshuar 666 certifikata të etikës dhe profesionit, dokument ky që kërkohet nga institucionet shëndetësore me rastin e punësimit të mjekëve dhe infermierëve jashtë Kosovës.
“Në vitin 2020, Oda e Mjekëve kishte lëshuar 105 certifikata për mjekët, ndërsa nga janari deri në shtator të vitit 2022 e njëjta kishte lëshuar 183 certifikata, pra janë 78 certifikata të lëshuara më shumë për 9 muaj të vitit 2022 krahasuar me vitin 2021”, tha ajo.
Sipas saj, situatë më e rënduar sa i përket numrave paraqitet te Oda e Infermierëve të Kosovës, e cila ka lëshuar 140 certifikata për infermierët në vitin 2021, ndërkaq për nëntë muaj, nga janari deri në shtator të vitit të 2022 ky numër është katërfishuar në 586 certifikata.
Për të siguruar menagjim efikas të trendeve të migrimit dhe për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë, Dragusha tha se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë .
Kurse, Naser Gjonbalaj, nga Oda e Mjekëve të Kosovës ka treguar se nga janari 2022 kanë ikur mbi 200 mjekë nga Kosova, teksa ka shtuar se rreth 300 mjekë të tjerë janë të pa punë.
“Deri më sot janë 215 mjekë që kanë ikur nga janari deri më tash. Kjo është shqetësuese sepse ikja është 37% më shumë se sa prodhojmë mjekë. Në data-bazën tonë kemi rreth 300 mjekë që janë të pa punë”, tha ai.
Sipas tij, nëse nuk merren parasysh të gjitha këto dhe rritja e pagave dhe kushteve të punës, ata do të nbeten të pakënaqur.























