Mbi 200 mjekë e 600 infermierë janë larguar nga Kosova këtë vit |Video
BKT
Foto: RTKlive
Shëndetësi

Mbi 200 mjekë e 600 infermierë janë larguar nga Kosova këtë vit |Video

Venera Xhoxhaj Adili / RTK

Mbi 200 mjekë janë larguar nga Kosova këtë vit. Vetëm 2 raste janë kur mjekët u rikthyen nga mërgata.

Kuadrot e profileve mjekësore nuk po e shohin si alternativë punësimin në institucionet publike.

Drejtues të Odës së Mjekëve dhe Infermierëve deklarojnë se ikja e mantelbardhëve do të duhej të ndizte alarmin që institucionet të veprojnë.

“Nga janari deri tani janë 205 mjekë që kanë lëshuar Kosovën. Ne kemi 37 % më shumë se që prodhojmë kuadro”, tha Naser Gjonbalaj, nga Oda e Mjekëve.

Kurse Naser Rrustemaj, nga Oda e Infermierëve tha se i kanë 22 mijë anëtarë dhe nëse hapen konkurse "ata nuk duan të konkurrojnë sepse synim kanë largimin, për shkak të kushteve të punës e të pagave”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke punuar në ndryshimet legjislative.

“Jemi duke punuar në reformë legjislative, kemi edhe ligjin e pagave e udhëzime administrative”, tha Irfan Krasniqi.

Ndërsa Arieta Dragusha, Grupi Ballkanik theksoi se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkret.

Shqetësim mbetet edhe mosha mesatare e mjekëve dhe mos hapja e konkurseve për specializim.

Izet Sadiku, drejtor i shëndetësisë komunale tha se pasojat do të vërehen edhe më shumë në vitet e ardhshme.

Këtë vit janë larguar nga vendi edhe rreth 600 infermierë.


MË SHUME NGA Shëndetësi