Çmimi i ulët lë Klinikën e Dermatologjisë pa azot|Video
Shëndetësi

Çmimi i ulët lë Klinikën e Dermatologjisë pa azot|Video

Venera Adili / RTK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka një problem tash e disa vite. Pacientët në Klinikën e Dermatologjisë ndodh të presin me ditë të tëra për t`i kryer shërbimet në këtë klinikë, pasi shpeshherë nuk ka azot.

Tenderët me vlera të ulëta po i penalizojnë pacientët. Azoti, që është produkt elementar për Klinikën e Dermatologjisë, tash e disa vjet sigurohet përmes procedurave të tjera në mungesë të interesimit të operatorëve ekonomikë. Enver Krasniqi, drejtor i Klinikës së Dermatologjisë, tregon mënyrën se si po bëjnë zgjidhje, derisa tha se këtë problem do ta adresojë në drejtori.

“Është një problem që më shumë se 3 vjet dhe meqë furnizimin e bëjmë prej parave të imëta kjo është procedurë shumë burokratike dhe kjo duhet të rregullohet në nivel të SHSKUK-së”, tha Krasniqi.

Në SHSKUK thonë se zyra e prokurimit disa herë ka hapur tender por nuk ka pasur ofertues për furnizim me azot për shkak të çmimit të ulët.

Ndonëse Xhafer Gashi i nënshtrohet trajtimit me azot, ai dhe pacientë të tjerë shpeshherë u detyruan të presin me ditë të tëra pasi ky produkt mungoi. “Ka ndodhur disa herë kur ka munguar azoti dhe nuk kam mundur me marr shërbimin. Madje më është dashur ta ndërpresë terapinë e rregullt dhe kjo nënkupton se edhe efekti nuk është i mjaftueshëm”, ka treguar ai për RTK-në.

Mehmet Gërguri, një tjetër pacient ka rrëfyer për vështirësi me të cilat ballafaqohen. “Ndodh që një mbushje të shpenzohet për më pak se një muaj dhe nga koha kur shpenzohet deri të mbushet tjetra ka vonesë”, tha ai. Drejtues të klinikës tregojnë se janë rreth 900 pacientë në muaj që marrin shërbimin me azot, derisa theksojnë edhe mungesën e stafit të mesëm dhe të hapësirave.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi