Numri i madh i pacientëve nga mbarë Kosova, krijon tollovi në QKUK
Shëndetësi

Numri i madh i pacientëve nga mbarë Kosova, krijon tollovi në QKUK

Albulena Bytyqi / Radio Kosova

Numri i madh i pacientëve nga e gjithë Kosova  që marrin shërbim në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,  po krijon tollovi të mëdha. Pacientët thonë edhe pse i kanë terminët e caktuar, ata duhet të pajisen sërish me numra që të presin radhën. Ndërsa stafi shëndetësor shpesh detyrohen të bëjnë zgjidhje për pacientet që nuk kanë fare termin.

Shumë pacientë nga e gjithë Kosova kishin marrë rrugë qysh në orët e para të mëngjesit për t’u kontrolluar te njëri nga mjekët që kryente kontrolle në ambulanca specialistike.

I gjithë ky frekuentim i madh i pacientëve, po krijon tollovi. Qytetarët të cilët po prisnin në radhë i thanë Radio Kosovës se pritjet janë të gjata megjithëse i kanë terminët, e që kjo po shkakton pakënaqësi.

“Qe një orë kam ardhur, jam duke pritur së kallaballëk i madh. Kemi prit me nga një ore e dy kur kam qenë  edhe herëve të tjera, varësisht se qysh e zëmë renin me numra. S’është aspak e përshtatshme. E bej terminin e pastaj vij e pres edhe në rend e që  nuk është aspak e përshtatshme,sepse e ke terminin e të presësh prapë është goxha shumë”, shprehet një qytetar.

Merita Emini, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në Ambulancën Specialistike, thotë së pavarësisht fluksit të madh të pacienteve që kanë, shpesh herë detyrohen të marrin edhe pacientë të cilët nuk kanë termin.  

“Puna shkon me rregull por ka raste kur pacientët vijnë pa termin dhe duan gjithqysh ta kryejnë vizitën e kështu na nxjerrin pak telashe, sepse duhet të sforcohemi me numrin e madh që janë krejt me termin edhe i marrim edhe këta pacientë sepse janë pleq, vijnë nga larg, harxhojnë”, tha Emini.

Punëtorët që punojnë në sportelet e Ambulancave Specialistike i thanë Radio Kosovës se gjatë ditës shpërndahen 100 deri 200 numra ku pacientët i marrin për t’i kryer vizitat e tyre. Ndryshe pacientët nuk mund të bëjnë termin përmes telefonit në Ambulancat Specialistike, përveç se me prezencë fizike.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi