Nesër fillon `Karvani i vaksinimit`
Sh.Gashi / RTKlive
Ministria e Shëndetësisë njofton se nga nesër më 22 dhjetor fillon vaksinimi falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara të popullsisë në Qendrat e Shëndetit Publik në të gjithë vendin dhe njësitë e tyre rajonale nëpër qytete.
Ky është një aktivitet shtesë një mujor me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19 dhe rritjes së numrit të vaksinuarve kundër këtyre dy sëmundjeve. Tashmë, qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër COVID-19 edhe me dozat bivalente përforcuese
“Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga data 22 dhjetor 2022 në Kosovë do të nis një aktivitet shtesë me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, i quajtur “Karvani i vaksinimi”.Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet”, thuhet në njoftim.
Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti.