Klinika pa mjekë profesorë |Video
Besiana Mulaj / RTK
Dy klinika tashmë të konfirmuara mund të degradohen në reparte, pasi nuk kanë staf të mjaftueshëm akademik.
Ndërkaq, sipas burimeve të RTK-së, edhe Klinika e Neonatologjisë dhe ajo e Kirurgjisë Maksillofaciale, nuk kanë mjekë me gradën profesor. Gjendjen e këtyre klinikave, ish-drejtorët tashmë në pension, e shohin si pamundësi për edukimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve të rinj dhe e kushtueshme për pacientët.
Secila klinikë e Qendrës Klinike Universitare duhet t’i ketë së paku dy mjekë me titullin profesor.
Ky kriter është i përcaktuar edhe në statutin e QKUK-së, në të kundërtën klinika duhet të degradohet në repart.
Naser Syla, drejtor në qendrën emergjente, e ka konfirmuar se nuk kanë mjek me titullin profesor, e njëjta situatë sipas drejtorit te Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahiut është edhe në mjekimin intensiv.
E sipas burimeve të RTK-së, pa mjek me titullin profesor janë edhe klinika e neonatologjisë dhe kirurgjia maksillo-faciale.
Profesor doktor Shefqet Lulaj, i cili ka drejtuar klinikën e Gjinekologjisë për disa vite, tha se në mungesë të mjekëve me titullin profesor klinikat shkëputen edhe nga Fakulteti i Mjekësisë, sipas tij është fatale për shëndetësinë.
“Fajtorët janë kompleks janë universiteti që një kohë të gjatë I ka blloku dhe nuk ka lejuar tituj, fajtor është edhe fakulteti i mjekësisë i cili nuk ka bo presion për gjendjen realë se çka do të ndodhë pas 10 vjetëve në klinika, që kuadri I vjetër nuk ka planifikuar me kohë se kuadri i vjetër do të shkoj në pension, por edhe klinikat e kanë fajin e vet, dikujt i ka konvenuar që edhe pa titull akademik me udhëheq klinika”, ka thënë Shefqet Lulaj, Mjek profesor i Gjinekologjisë.
Se si do të shpëtohet statuti klinik, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu nuk ka pranuar të flasë.
Zejnullahu nuk e ka publikuar edhe pas kërkesës sonë listën se sa mjekë me titullin profesorë punojnë në QKUK.
Këtë listë nuk e ka prezantuar as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Syzana Manxhuka Kërliu. Në një komunikim elektronik ajo ka thënë se për 6 vjet janë avancuar 60 asistentë, por jo edhe mjek me titullin profesor.
RTK ka kërkuar përgjigje edhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, e të cilët thonë se këto të dhëna mund t’i ofrojë vetëm dekanati i Fakultetit të Mjekësisë. As nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur tash e mbi dy javë.
Ish-drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina, përmes postës elektronike ka thënë se në mungesë të profesorëve ngelë edukimi i vazhdueshëm profesional dhe me këtë pasojat do ti vuajnë pacientët. Në këtë përgjigje ai ka thënë se përgjegjëse për mungesën e mjekëve me titullin profesor është Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit. Kompetencën për ngritjen e nivelit akademik në fushën e Shëndetësisë e ka Fakulteti i Mjekësisë, ka thënë profesori tashmë në pension i Neurokirurgjisë, Arsim Morina.