Nushi-Latifi: Çdo faktor i ndotjes së ujit paraqet rrezik për shëndetin
Albulena Bytyqi / Radio Kosova
Vërshimet e fundit në disa komuna të Kosovës, kanë ngritur shqetësim që mund te këtë përhapje të ndonjë epidemie si pasojë e ngordhjes së kafshëve. Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë thirrje qe të ketë kujdes me ujin sidomos në situatën pas vërshimeve, sepse mundë te lajmërohen sëmundje të ndryshme si pasojë e ujit të turbullt.
Çdo ndotje e ujit është faktor i rrezikut për sa i përket shëndetit e posaçërisht kur ka vërshime. Kështu thotë koordinatorja në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, Burbuqe Nushi-Latifi.
Sipas saj, pasojat e ujit të turbullt nuk janë vetëm kur e konsumojmë atë, por edhe gjatë kontaktit. Në një prononcim për Radio Kosovën Nushi-Latifi, tha se si pasojë e vërshimeve çdo faktor i ndotjes së ujit paraqet rrezik për shëndetin.
“Posaçërisht të vërshimet, sepse uji i turbullt ka gjithçka në sipërfaqe, jo vetëm kur pihet por edhe gjatë kontaktit me të, bëhet bartja e sëmundjeve nëpërmjet insekteve. Është shumë e rëndësishme të kemi kujdes e sidomos në situatën pas vërshimeve të ashtuquajtur bishtin epidemik që mund të lajmërohen sëmundje”, tha ajo për Radio Kosovën.
Ndërsa për sa i përket cilësisë së ujit, pas vërshimeve në Komunën e Mitrovicës dhe Skenderajt, analizat fiziko kimike konfirmojnë se uji i pijes është i sigurt për konsum, ka thënë Bashkim Kurti, nga Kompania Rajonale Ujësjellësi "Mitrovica".
Ai tutje ka sqaruar se nëse ka raste që vërehen dyshime për cilësinë e ujit atëherë konsumatorët duhet të veprojnë me kujdes dhe ujin e pijes ta vlojnë paraprakisht.
“Në bazë të analizave qe i kemi bërë, uji në aspektin fiziko-kimik i plotëson të gjitha standardet e pijes, ndërsa për analizat bakteriologjike, jemi duke pritur rezultatet deri nesër. Por normalisht ne rekomandojmë ende që uji të vlohet për shkak të ndryshimeve cilat kanë qenë”, tha Kurti për radio Kosovën.
Si pasojë e reshjeve të mëdha situata në Komunën e Skenderajt nuk është e mirë, ka thënë Amir Lushtaku, nga Zyra për Informim e kësaj komune .
Ai tha për Radio Kosovën se po mundohen t’u dalin në ndihmë qytetarëve duke i furnizuar me ujin e pijshëm si dhe me gjëra të tjera ushqimore e higjienike.