Në QKUK nuk ka profesionistë për shërbimet e “Stroke center” |Video
Venera Xhoxhaj-Adili / RTK
Ka disa vjet që është inauguruar shërbimi “Stroke Center” në QKUK, por aty ofrohen veç një pjesë e shërbimeve për pacientët që pësojnë goditje në tru.
Ndonëse ekzistojnë pajisjet mjekësore nuk ka profesionistë të radiologjisë të trajnuar që do të funksionalizonin këtë shërbim plotësisht.
Ministria e Shëndetësisë pritet që bashkë me SHSKUK-në të mbështesin radiologët por ndërkohë do të vazhdojnë edhe mbështetjen e pacientëve që referohen jashtë vendit e që bëhen ngarkesë për buxhetin e shtetit.
Aktualisht rastet që evidentohen, trajtohen nga neurologët.
Megjithatë, neurologët konsiderojnë se funksionalizimi 24 orë i shërbimit të Radiologjisë në Klinikën e Neurologjisë do të lehtësonte punën e tyre.
Trajtimin e rasteve brenda 4 orëve të para pas sulmit në tru profesionistët shëndetësorë e përkthejnë në një jetë më shumë. Për këtë po punohet edhe një strategji që do të ndihmonte në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar shërbimin sa më shpejt.























