Shpalosen risitë e trendet e panairit më të madh industrial në botë
Foto/Driton Beqiri
Tech

Shpalosen risitë e trendet e panairit më të madh industrial në botë

Hysen Hundozi & Driton Beqiri/RTK

Në ambientet e panaireve në Hanover u mbajt një konferencë njëditore, në të cilën morën pjesë mbi 120 gazetarë nga e gjithë bota. Në mesin e tyre ishte edhe ekipi i Radiotelevizionit të Kosovës.

 Folësit në këtë konferencë, si kryeshefi ekzekutiv i Deutsche Messe AG Dr. Jochen Kockler, Dr. Nina Geissert nga Festo dhe Eko S A Cahyanto nga qeveria e Indonezise, vend ky i cili është vend partner i edicionit të sivjem të Hannover Messe, njoftuan gazetarët e pranishëm më risitë dhe trendet të cilat do ta karakterizojnë edicionin e radhës së panairit industrial më të madh në botë Hannover Messe 2023, i cili do të mbahet në muajin Prill në Hanover të Gjermanisë.

Në këtë event mediatik, morrën pjesë edhe 25 kompani ekspozuese, të cilat paten mundësinë unike që të njoftojnë mediet botërore për produktet dhe shërbimet e tyre të cilat do t’i prezantojnë në panair. Gazetarët nga ana tjetër, shfrytëzuan kontaktet e drejtpërdrejta dhe diskutimet individuale me përfaqësuesit e bizneseve pjesëmarrëse për të zbuluar produktet dhe teknologjitë e reja dhe për të mësuar për zbulimet dhe trendet më të reja në industri.

Lista e sfidave për industrinë është e gjatë: ndryshimi i klimës, mungesa e energjisë, zinxhirët e ndërprerë të furnizimit dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Zgjidhja qëndron në përdorimin e vazhdueshëm të teknologjisë. Në të njëjtën kohë, kuadri i politikës ekonomike duhet të vendoset në mënyrë korrekte. Hannover Messe 2023 ofron të dyja: Teknologjitë për një
industri të rrjetëzuar dhe neutrale ndaj klimës, si dhe skenën botërore për diskursin midis industrisë, politikës, shkencës dhe shoqërisë.
Hannover Messe është panairi kryesor tregtar në botë për industrinë. Tema qendrore ;Transformimi Industrial - Bërja e Diferencës; bashkon fushat ekspozuese si automatizimi, mobiliteti, ekosistemet dixhitale, zgjidhjet e energjisë, pjesët dhe zgjidhjet e inxhinierisë, dhe jo vetëm. Temat kryesore përfshijnë dekarbonizimin, industrinë 4.0, sigurinë e IT, inteligjencën artificial dhe mësimin e makinerive, ekonominë rrethore, logjistikën 4.0 si dhe qelizat e hidrogjenit dhe karburantit. Konferencat dhe forumet plotësojnë programin.
Edicioni i sivjem i këtij panairi do të mbahet në Hanover nga data 17 deri më 21 prill 2023.
Prodhimi neutral ndaj dioksidit të karbonit, inteligjenca artificiale, teknologjitë e hidrogjenit, menaxhimi i energjisë dhe Industria 4.0 - këto janë temat kryesore të panairit Hannover  Messe  2023, sipas Dr. Jochen Köckler, kryeshef ekzekutiv i Deutsche Messe AG. Vetëm kur këto teknologji të ndërveprojnë, do të kemi sukses të sigurojmë prosperitetin tonë në afat të
gjatë dhe në të njëjtën kohë të promovojmë mbrojtjen e klimës. 

 

 Në panairin kryesor në botë për industrinë, rreth 4,000 kompani nga inxhinieria mekanike, industria elektrike dhe dixhitale dhe industria e energjisë do të prezantojnë zgjidhje për prodhimin dhe furnizimin me energji në të ardhmen.
Një nga prezantimet interesante në këtë ngjarje me gazetarë ishte fjalimi i Dr. Nina Geissert nga kompania Festo. „Ne duhet të integrojmë natyrën në teknologji të automatizimit. Vetëm atëherë kur teknologjia dhe biologjia të bëhen bashkë, ne mund të fillojmë të ndikojmë në ndryshimet klimatike duke e bërë të ashtuquajturën “ekonomi rrethore” një realitet ”- potencoi Geissert.
Ekonomia rrethore i referohet të gjithë punës së përfshirë në riciklimin, reduktimin e mbetjeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës së qëndrueshme.
„Duke kultivuar biomasën në shkallë të gjerë me ndihmën e teknologjisë sonë të automatizimit, Festo jep një kontribut të rëndësishëm në këtë aspekt. Hapi i parë në këtë drejtim është Photo Bionic Cell nga Festo,” sqaroi ajo në prezantimin e vet.

Nga dixhitalizimi dhe automatizimi i proceseve komplekse të prodhimit deri te përdorimi i hidrogjenit për të furnizuar fabrikat me energji dhe përdorimi i  softuerit për të regjistruar dhe reduktuar emitimin e dioksidit te karbonit, në panairin Hannover Messe do të prezantohen zgjidhjet për secilën nga sfidat aktuale globale.