IKSHPK: Uji në Marec nuk pihet, përben rrezik për shëndetin
Shëndetësi

IKSHPK: Uji në Marec nuk pihet, përben rrezik për shëndetin

M.Sh/RTKlive

Shqetësimit të banorëve të fshatit Marec të Gollakut rreth ujit të pijshëm, i është përgjigjur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, duke dal në terren dhe duke marrë mostrat e ujit. Gjatë inspektimit është identifikuar se ky fshat furnizohet me ujë për pije nga disa burime natyrore dhe nga puse individuale.

Këto resurse, sipas IKSHPK-së,  janë të pambrojtura dhe si të tilla me potencial të madh të mundshëm të ndotjes.

“Në favor të kësaj flet edhe mostra e ujit e marrë në familjen Pacolli (furnizohet nga burimi natyror) e cila rezultoi me mungesë të klorit rezidual, me turbullirë të shtuar  (mbi 20 NTU) dhe me ngjyrë të ujit të verdhë në të gjelbër. Ky ujë si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve. Po ashtu, edhe rezultati i analizës kimike ka mos përputhshmëri me standardet e paraparë sipas UA nr. 10/2021  ”Cilësia e ujit për konsum nga njeriu”. Thuhet në njoftimin të cilin e ka publikuar Ministra e Shëndetësisë.  

Rezultatet bakteriologjike, sipas njoftimit, priten pas 48 orëve!

“Duke pasur parasysh rezultatet e analizave laboratorike dhe gjetjet në terren, IKShPK në pajtim me përgjegjësitë e veta ligjore rekomandon autoritetet përgjegjëse – KK Prishtina dhe KRU”Prishtina “ që secila prej tyre në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurt për banorët e kësaj zone. Problemi bëhet edhe më madhor pasi që situatë e ngjashme është  edhe në 21 fshatra tjera të kësaj zone”, thotë IKSHPK.

Me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të shëndetit të banorëve, IKSHPK e sheh si nevojë imediate zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për qytetarët e kësaj zone.

“Deri në zgjedhjen afatgjate të problemit të furnizimit me ujë, IKSHPK rekomandon banorët që burimet natyrore ekzistuese dhe puset individuale: të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat; të mirëmbahet ( të sanohet kaptazha, rezervuari dhe gypi shpërndarës) dhe; perfundimisht uji të dezinfektohet.

IKSHPK konsideron që zbatimi i këtyre masave është i domosdoshëm për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit për pije dhe rrjedhimisht mbrojtjen e shëndetit të popullatës.


MË SHUME NGA Shëndetësi